Opinione

Domosdoshmëria e votimit elektronik në Kosovë

Shkruan: Lulzim Shabani

Deri më tani partitë politike ende nuk kanë filluar të shpërfaqin pakënaqësitë e tyre lidhur me parregullësitë e pashmangshme e të ricikluara të po e shoqërojnë këtë proces proces zgjedhor. Nuk po e përmendin as votimin elektronik i cili për shumë arsye i duhet Kosovës. Manipulimi i rezultateve, trafikimi i votës, mashtrimet dhe abuzimet me votë, do të jenë kryefjalë e atyre grupimeve politike, të cilat do të jenë më të pakënaqura me rezultatin në mbrëmjen e të dielës që po vjen.

Procedurat e votimit luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një demokraci. Përmes votimeve, preferencat e votuesve shëndrrohen në një mandat politik, i cili përbën bazën e vendimmarrjes dhe lehtëson ndërveprimin e qytetarëve me politikën përmes zgjedhjeve. Në praktikë, megjithatë, llojet apo mënyrat e paligjshme për të ndryshuar rezultatet elektorale, sidomos në demokracitë e pazhvilluara, siç është Kosova, janë të zakonshme. Mashtrimi, manipulimi apo frikësimi elektoral, jo vetëm që dëmton besimin e publikut në institucionet demokratike duke zgjedhur liderë politikë që kanë aftësinë më të madhe për të organizuar mashtrime elektorale, por gjithashtu ndikon negativisht në sigurimin e të mirave publike, sepse në parim, ai që mashtron me votë, është potencial për të mashtruar, manipuluar apo frikësuar edhe në vendimmarrje.

Në shumë zona elektorale në Kosovë në zgjedhjet e kaluara nga të gjitha partitë politike ka pasur ankesa për vjedhje, mashtrime, blerje apo tjetërsim të votave. Janë ngritur shumë ankesa e dyshime për integritetin e zgjedhjeve, për shkak të dobësive të zbuluara të sigurisë brenda sistemit. Madje, përfaqësues të partive politike kanë shkruar edhe me larg, duke thënë se po blihet besnikëria e një pjese të personave me mbështetjen e të cilëve ata kryejnë mashtrimin. Zëra të tillë janë përsëritur pas të gjitha zgjedhjeve të organizuara në periudhën e pasluftës, qofshin ato të nivelit qendror apo lokal.
Shumë studime dëshmojnë se në vendet në tranzicion apo me demokraci të brishtë, votimi elektronik zvoglon mashtrimin elektoral. Pra ekziston një lidhje shumë e fortë midis aplikimit të votimit elektronik dhe rënies së krimit. Gjithashtu votimi elektronik e bënë procesin më konkurrues, minimizon dhunën elektorale dhe i jep elektoratit një mundësi për të përmirësuar reagimin e zyrtarëve të zgjedhur duke i bërë ata më të përgjegjshëm. Zbatimi i votimit elektronik mbart premtimin për zgjedhje me më shumë pjesëmarrës, rrit efikasitetin e procesin zgjedhor dhe shpresën për t’i afruar votuesit me përfaqësuesit e tyre.

Në kontekstin e tanishëm të uljes së pjesëmarrjes në votime në Kosovë dhe zhgënjimit të përgjithësuar ndaj politikës, hartuesit e politikave duhet kërkuar strategji inovative për të promovuar një proces të mirëfilltë demokratik. Votimi elektronik është një risi veçanërisht tërheqëse në këtë drejtim, në kuptimin që kombinon teknologjinë me thelbin e pjesëmarrjes demokratike. Prandaj, zakonisht perceptohet si instrument për shumë nga problemet që prekin demokracinë dhe kultivon pritshmëri të mëdha në lidhje me ndikimet e mundshme të tij në procesin zgjedhor.

Përvoja nga kontekstet e mëparshme të zgjedhjeve me mundësi elektronike këshillon një qasje hap pas hapi në procesin e votimit në internet, me mbajtjen e gjykimeve dhe një zbatim gradual të sistemit i cili, për shembull në Kosovë që nga zgjedhjet e ardhshme, mund të fillonte për herë të parë në disa komuna më të vogla. Kjo rrit kontrollin mbi secilën fazë të procesit dhe lehtëson identifikimin e mangësive eventuale. Një zbatim i kujdesshëm, rritës dhe përhapja e votimit në internet është thelbësore në këtë drejtim. Prandaj, votimi elektronik nuk mund të ofrohet si një metodë ekskluzive e votimit. Përvoja nga rastet e suksesshme nxjerr në pah përfitimet e zhvillimit të një modelimi gradual, hap pas hapi, dhe zbatimit të sistemeve të votimit në internet. Në këtë drejtim, gjykimet e akterëve janë instrumente të rëndësishme për të matur reagimet e qytetarëve ndaj procedurave dhe për të identifikuar kufizimet e mundshme të sistemit. Mbetet thelbësore që votuesëve t’u jepet mundësia të marrin pjesë në zgjedhje duke përdorur fletëvotimet tradicionale në letër.

Gjykimet e përsëritura dhe të rënda për informacionin e votimit elektronik mund të çojnë përfundimisht në krijimin e besimit, i cili, siç kanë treguar disa studime mbetet faktori më i rëndësishëm për suksesin e teknologjive të reja të votimit. Sot të gjitha teknologjitë që përdoren për votimet elektronike janë të dizajnuara për të zvogëluar mashtrimet dhe për të rritur saktësinë dhe shpejtësinë e rezultatit. Hulumtimet e fundit në fushën e teknologjisë së votimit kanë qëllime më madhore. Përmes tyre synohet që t’ju mundësohet votuesve të marrin pjesë kudo apo në të gjitha proceset zgjedhore, duke nënkuptuar këtu edhe ato brenda vet partive politike. Kjo teknologji gjithashtu vjen me synimin për ta bërë të mundur që sa më shumë votues të hedhin votën e tyre dhe kështu të rrisin pjesëmarrjen e tkurrur, sidomos në dekadën e fundit.

Votimi elektronik ka potencialin për t’u bërë forma më e besueshme dhe më e sigurt e votimit. Teknologjia dixhitale dhe kriptografia ofrojnë mundësinë për të kapur, transmetuar dhe ruajtur zërin apo votën në mënyrë shumë më të besueshme se sa letra që përdoret sot. Votimi elektronik e bën procesin e zgjedhjeve më të lehtë për të gjithë pjesëmarrësit, për votuesit, kandidatët, vëzhguesit dhe komisionet zgjedhore. Megjithatë edhe te ky lloj votimi ekziston një potencial për abuzim dhe nuk mund të thuhet se është perfekt. Si zakonisht, votimi ka një sërë disavantazhesh siç mund të jenë defektet e softverit, hendeku dixhital, (pamundësia e të gjithëve për të votuar, përfshirë këtu analfabetët funksional dhe ata që nuk kanë pajisje për ta kryer këtë obligim qytetar, e që në Kosovë është numër i madh) pengesat e sigurisë që mashtrojnë votuesit, ose, siç ndodh shpesh te vendet që aplikojnë këtë mënyrë votimi, një numër votash thjesht zhduken ose fshihen.

Gjithësesi votimi elektronik ka një të ardhme. Është çështje kohe se kur do të bëhet pjesë e jetës sonë të përditshme, sikundër që kjo po ndodh në disa vende ku edhe ka zvogluar ndjeshëm numrin e jo votuesëve.

Ky lloj votimi për ne në Kosovë merrë një dimension apo rëndësi edhe më të madhe duke pasur parasysh numrin e madh të trupit elektoral që qëndrojnë përkohësisht në shtetet e tjera. Deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, pamundësia që ata të votojnë, zvoglon legjitimitetin së pari, dhe së dyti, duhet të rëndoj mbi përgjegjësinë e vendimmarrësve të cilët quditërisht kënaqen kur nga gjithë ai numër i madh i votuesëve, një pjesë fare e vogël e tyre arrijnë ta dërgojnë voten e tyre me postë.