Aktuale

Donika Kadaj-Bujupi: Seanca e sotme e thirrur nga grupi gjykues është farsë tjetër

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi e cila sot ishte paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se kjo seancë farsë për krijimin e iluzionit të një shteti ligjor.

Ajo me anë të një postimi në facebook ka thënë se pushteti po vazhdon përndjekjen e aktivistëve të Vetëvendosjes.

“Seanca e sotme e thirrur nga grupi gjykues është farsë tjetër e tendencës për krijimin e iluzionit të kinse një shteti ligjor, kurse e kundërta është ky sistem i cili e saboton veteveten kur është në pyetje klani Pronto”.

“Ky pushtet vazhdon përndjekjet politike ndaj aktivistëve dhe deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, gjashtë prej të cilëve po vazhdon të iu privohet liria me raste të montuara”.

“Në të njëjtën kohë deputetët ftohen në seanca gjyqësore pasi vepruan konform dispozitave kushtetuese dhe mandatit në mbrojtje të Republikës, ashtu siç iu është besuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kadaj-Bujupi.

Seanca e sotme ndaj  katër aktivistëve të Vetëvendosjes është shtyrë për shkaka të mungesës së dy deputetëve të PDK-së, Flora Brovina e Blerta Deliu-Kodra të cilat do të dëshmonin si palë e dëmtuar.