Aktuale

Dosja e Shefave IV: Veprimet e dyshimta të Grabovcit në koordinim me Thaçin

Presidenti Hashim Thaçi, është treguar i kujdesshëm gjatë bisedave me Adem Grabovcin. Ai flet kryesisht me kode që i njohin vetëm ata. Megjithatë, Thaçi flet edhe për emra konkret të caktimit të njerëzve në institucione. Koordinon veprimet për t’i detyruar deputetët për të votuar për ligje. Shprehet i gatshëm të punojë sipas kërkesave të ndërkombëtarëve, teksa deklarohet se “do të luaj k… me amerikanët”.

Presidenti Hashim Thaçi është përgjuar duke komunikuar me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin.

Komunikimi mes tyre është i rregullt dhe i vazhdueshëm. Ata konsultohen për gjithçka, madje edhe për caktime të njerëzve të tyre nëpër pozita të larta shtetërore.

Kur është puna për veprime të tilla, Thaçi, që aso kohe ishte kryeministër i vendit dhe lider i partisë më të madhe në pushtet, flet me kode.

Bashkëbiseduesit koordinohen që dy ligje të rëndësishme që i jepnin fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës, të kalojnë në Kuvend me çdo kusht. Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit dhe ai për Hoqën e Madhe, herën e parë nuk ishin votuar. Thaçi mobilizohet që ligjet të rikthehen në Kuvend dhe duke u bërë presion, të votohen ato.

Presioni dhe kërcënimet e deputetëve konfirmohen nga bisedat tjera të Grabovcit me kolegun Shaip Muja, si dhe me Naser Krasniqin, i njohur si “Ftyra”.

Grabovci bisedon me “Ftyrën” i cili ishte në paraburgim, i akuzuar për Rastin Kleçka. Atij i tregon se e ka kërcënuar ish-kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, se nëse “nxjerr problem, me të merret ‘Ftyra’”.
“Ftyra” ishte i akuzuar për krime lufte. Ndër veprimet e tij inkriminuese ishin edhe prerja e dy serbëve me kosë.

Gjatë bisedave të presidentit të vendit, Hashim Thaçi me Adem Grabovcin, Jakup Krasniqit i referohen si “sheqer”, “sheqerash” e i “sëmurë prej sheqeri”. Këtë e bëjnë me përbuzje duke ia përmendur vazhdimisht këtë problem shëndetësor. /Insajderi/