Opinione

Drama maratonike me vizat

N.M. (emër i njohur për redaksinë, bashkëpunëtor pranë institucioneve ndërkombëtare)

Të kesh vetëm 10 vite shtet dhe të kesh dyfishin e kritereve për liberalizimin e vizave krahasuar me vendet e rajonit do të përbënte sfidë edhe për shtete që ekzistojnë që mbi 150 vjet. Ndërkohë që e kaluara e Kosovës është aq e dhimbshme saqëqytetari evropian i shekullit XXI as që mund ta paramendojë një tragjedi të tillë njerëzore, çfarë u pati ndodhur qytetarëve të Kosovës. Pra, shikuar të kaluarën e rëndë historike të Kosovës sigurisht që duket më tepër se tragjikomike e herë-herë absurde vazhdimi i pakuptueshëm i maratonës së mosliberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si të vetmit shtetas të kontinentit të vjetër që nuk mund të udhëtojnë të lirë. Absurdi bëhet edhe më i madh kur trendet e komunikimit dhe hapjes së botës janë duke u rritur me parametra të jashtëzakonshëm, ndërkohë që qytetarët e Kosovës kanë mbetur pothuaj tërësisht të izoluar.

Ashtu siç vazhdimisht është thënë në pothuaj të gjitha qarqet e ndryshme vendore e ndërkombëtare, shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ka konfirmuar katërçipërisht faktin se Pavarësia e Kosovës ka kontribuar dukshëm në demokratizimin dhe evropianizimin e mëtejmë të Ballkanit në veçanti dhe Evropës në përgjithësi. Si duket ky kontribut i pashoq i qytetarëve të Kosovës asnjëherë nuk u mor mjaftueshëm parasysh nga qarqe të ndryshme të BE-së dhe shteteve anëtare të saj. Vetë fakti që Pavarësia e Kosovës solli paqe dhe stabilitet në rajon është e arritur e madhe për Ballkanin dhe Evropën që me shekuj kishin gërryer vetveten.

Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës absolutisht që do të jetë një vlerë e shtuar për Evropën, sepse kështu tri-konfesione dhe multietnike siç bashkëjetojmë në tolerancë e akceptancë – që nuk ja gjen shembullin gjëkundi në Evropë – kemi avantazh të theksuar karshi paragjykimeve dhe stereotipeve ndër-konfesionale ekzistuesegjithandej Evropës. Përparësitë e theksuara që Kosova u ofron komuniteteve jo shumicë në të gjitha dimensionet e zhvillimit shoqëror dhe njerëzor, nuk është se mund të hasen shumë nëpër Evropë. Dhe kjo përbën vlerë për shoqërinë e Kosovës para se gjithash, për rajonin, Evropën dhe njerëzimin në përgjithësi.

Ndërkohë që, edhe Kosova ashtu sikurse e gjithë Evropa, nuk ka mundur të jetë imune ndaj zhvillimeve globale, sidomos pas krizës financiare globale të vitit 2008. E në këto zhvillime Evropa jo rrallëherë është ndier dhe ende ndihet e cenueshme nga aktorë jo-evropianë, sidomos nga Rusia, Kina dhe jo vetëm. E këta aktorë jo-evropian, në radhë të parë Rusia kanë filluar të ndërhyjnë në zgjedhjet elektorale të vendeve të ndryshme të BE-së, pra ka filluar të godasë zemrën e demokracisë evropiane. Për më tepër, Rusia përmes mekanizmave të saj gjithandej Evropës së bashku me Serbinë dhe miqtë e saj kanë krijuar një sentimentanti-Kosovë që nuk ka asnjë bazë, por që fatkeqësisht është realitet. Ndërkohë, Kina ka filluar që të paguajë politikanë të ndryshëm të vendeve të BE-së që lobojnë për interesat kineze në BE. Për më tepër Kina ka ndërmarrë mega-iniciativa globale, të cilat si synim parësor qasjen, ndër të tjera, në tregje të Evropës, aspekt ky tejet sfidues për ekonomitë në krizë të BE-së.

Këtë sentiment negativ, ky aktor jo-evropian (Rusia) bashkë me Serbinë e kanë ushqyer edhe në brendinë e Kosovës duke u munduar të krijojnë kaos e pasiguri, në mënyrë që Kosova të paraqitet para perëndimit dhe botës si shtet i dështuar. Dhe në këtë pikë, nuk është se nuk i është bërë dëm Kosovës nëse i referohemi mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës nga 5 Shtete Anëtare të BE-së,bllokadës ruse (dhe aktorëve tjerë) në Këshillin e Sigurimit me qëllim të pamundësimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë. Përpos kësaj, ky aktor-jo-evropian me qëllimin parësor të tij futjen e përçarjes anembanë BE-së investon jashtëzakonisht shumë në destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor siç ishte rasti i tentim puçit në Mal të Zi, dështimi i referendumit në Maqedoni për ndryshim të emrit, hapja e qendrës ‘hulumtuese’ ruse në Nish të Serbisë, involvimet e maskuara në veri të Kosovës dhe obstruksione tjera të dukshme dhe të fshehta.

E Serbia edhe pse me dy fytyra, njërën kah BE e tjetrën kah Rusia, asnjëherë nuk u kritikua nga BE, bile-bile Serbia qysh moti gëzon liberalizimin e vizave, pa marrë parasysh obstruksioneve të vazhdueshme që i bën në Kosovë, Bosnje, Maqedoni e Mal të Zi. Megjithatë, shteti i Kosovës ka vazhduar konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të tij pa marrë parasysh sfidat dhe vështirësitë me të cilat është përballur dhe ende përballet.

Pra, përkundër vështirësive të brendshme dhe të jashtme, Kosova brenda 10 viteve si shtet ka arritur të krijojë institucione solide, të krahasueshme me rajonin, sa çdo ditë e më shumë është duke hyrë në marrëdhënie bilaterale e multilaterale me shtete e organizata të ndryshme si dhe duke u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë të profileve të ndryshme me karakter rajonal dhe global. Vlen të theksohet që Kosova prej vitit 2009 e deri në këtë vit ka hyrë në mbi 330 marrëveshje ndërkombëtare të të gjitha llojeve. Dhe kjo, përpos që obligon Kosovën që t’u përmbahet këtyre marrëveshjeve, tregon edhe besimin që shtete e mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë kanë në institucionet e Kosovës. Përpjekjet për anëtarësim në Interpol shkojnë në këtë drejtim.

Vetë fakti që Kosova ka arritur të nënshkruajë me BE-në Marrëveshjen Stabilizim Asociim (MSA) dhe që çdo vit nënshkruan Marrëveshje Financiare me BE-në, me Institucione Financiare Ndërkombëtare dhe me partnerë strategjik bilateral dhe multilateralë, tregon shumë për besimin që këto shtete dhe mekanizma zyrtarisht shprehin ndaj institucioneve të Kosovës. Përmirësimi dhe investimet e mëdha në infrastrukturë tejkalojnë çdo pritje të një shteti dhjetëvjeçar, aspekt ky që shteteve u ka marrë mbi 100 vite. Pra, ka aq shumë arritje në infrastrukturë për këto 10 vite shtet, sa askush nuk do ta besonte. Sektori financiar në Kosovë është më stabili në rajon dhe për këtë ka fakte. Sigurisht që ka shumë punë për t’u bërë në vitet që vijnë, por sfidat e vështirësitë shtetërore janë përditshmëri edhe për shtetet më të fuqishme të botës.

Pra, nuk do mend që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ka kaluar në dramë maratonike, për të cilën flet i madh e i vogël. Ndërkohë që subjekte politike në Kosovë, për efekte të pastra elektorale vjellin vrer duke kritikuar institucionet e Kosovës për mosliberalizim të vizave. Një pjesë e opozitës kritikon procesin, pjesë e të cilit ka qenë në të gjitha fazat e tij, ndërsa një pjesë tjetër e opozitës, e dalë nga fryma e një popullizmi shterp në rritje gjithandej Evropës, e zhytur thellë në ideologji majtiste mundohet të përfitojë nga ky momentum, duke dalë në kinse ‘mbrojtje’ të Republikës. Ndërkohë që në anën tjetër është vetë ky subjekt majtist që nuk ka votuar në favor të MSA-së në Parlamentin e Kosovës. Pra, për çfarë integrimi evropian na flet ky subjekt majtist, kur haptazi patën dalë kundër këtij procesi, pas të cilit sot thirren se e duan. Ky subjekt majtist vazhdimisht ka qenë kundër çdo iniciative perëndimore në Kosovë, ka sfiduar dhe sfidon çdo propozim progresist dhe mbështetje perëndimore si.p.sh. për Pavarësinë e Kosovës, formimin e ushtrisë së Kosovës, etj. E ky subjekt nuk njeh as shtetin dhe simbolet të Kosovës, e sot na flet për regres në procesin e integrimit evropian, përfshirë procesin e liberalizimit të vizave.

Vazhdimisht na thuhej nga qarqe të shumta të BE-së që ”sa më shpejtë që plotësojmë kriteret aq më shpejtë do hiqen vizat”. Edhe pse na vunë dyfish kritere më shumë sesa vendeve të rajonit, Kosova, përkundër vështirësive, ja arriti të plotësojë të gjitha kriteret. Dhe këtë e konfirmoi publikisht dhe qartazi vetë BE askush nuk e detyroi. Pra, ishte puna e institucioneve të Kosovës ajo që shtyri BE-në të jep vlerësimin pozitiv, e jo mos puna.

Përderisa institucionet e Kosovës po punonin në plotësimin e kritereve të kërkuara një nga një, paralelisht me këtë proces, përfaqësues të institucioneve të BE-së kritikonin vetë institucionet e BE-së për vonesat që shkaktoheshin nga vetë këto. Kështu TanjaFajon dhe UlrikeLunacek, duke parë vonesate paarsyeshme të Komisionit Evropian në publikimin e raporteve për plotësim të kritereve që bëheshin kohë pas kohe, qysh në fillim të vitit 2014 i patën kërkuar urgjentisht zonjës CeciliaMalmstrom, atëbotë Komisionare për Çështje të Brendshme, që “Komisioni Evropian deri në fund të vitit 2014 të hiqte vizat për qytetarët e Kosovës, sepse çështje e vizave ishte më e cenueshmja për qytetarët e Kosovës duke pasur parasysh që përparësia e lëvizjes së lirë nuk kishte çmim dhe se qytetarët e Kosovës e meritonin atë”.

Më tutje në maj 2016, znj. UrikeLunacek, Zëvendës Presidente e atëhershme e Parlamentit Evropian e ngarkuar me Ballkanin Perëndimor dhe Raportuese për Kosovën në Parlamentit Evropian, thoshte që “Komisioni Evropian kishte pritur që sa vite dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për shtetin më të ri në Evropë dhe se kjo tejzgjatje do të shpinte në një izolim të papranueshëm për qytetarët e Kosovës duke ditur që liria e lëvizjes veç ishte duke u gëzuar nga qytetarët e të gjitha vendeve të rajonit që nga fundi i vitit 2010”. Më tej ajo thoshte që “liberalizimi i vizave nuk është një e drejtë, por diçka që bazohet në merita, prandaj Qeveria e Kosovës kishte bërë mjaft shumë në përmbushjen e kritereve të kërkuara dhe se topi tanimë ishte të Ministrat e Brendshëm të Shteteve Anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian që të mbanin premtimin dhe të arrinin ujdi”.

Në vazhdën e deklarimeve pro liberalizimit të vizave është edhe deklarata e zonjës FederikaMogerini, Përfaqësuese për Politikë të Jashtme të BE-së, e cila në shtator 2017 në një takim me Komisionarin për Zgjerim, JohanesHahn, dhe Zëvendëskryeministrin Pacolli, kishte deklaruar që “me formimin e Qeverisë së re, Kosova ishte në pozitë të mirë për të lëvizur përpara në përmbushjen e vetëm dy kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave, më konkretisht ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe krijimin e një regjistri të qëndrueshëm të rasteve të shënjestruara që kishin të bënin me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Ndërkohë duke folur për rëndësinë e vizave dhe për të mbajtur gjallë perspektivën evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor, në një vizitë të përbashkët që kishin ndërmarrë në rajon dhe Kosovë, Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, FederikaMogerini, Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, JohanesHahn dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-ClaudeJuncker më 28 shkurt 2018, ky i fundit pati thënë në Prishtinë se “nuk ndihej mirë që kosovarët janë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë, ata duhet të kishin të drejta të njëjta, me kushtin që të ratifikonin marrëveshjen e demarkacionit dhe të vazhdonin luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Kurse, institucionet e Kosovës bënë pikërisht atë që kërkonte Juncker, Mogerini dhe Hahn, pra ratifikuan demarkacionin dhe vazhduan me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, aspekte këto që u vlerësuan qartë nga Komisioni Evropian, prandaj edhe u dha rekomandimi pozitiv në korrik 2018.

Në vazhdën e deklaratave premtuese të Zyrtarëve të Lartë të BE-së është edhe ajo e Komisionarit Avramopoulos, i cili derisa po publikonte raportin pozitiv për viza, më 18 korrik 2018 deklaronte se “pas disa viteve pune dhe përpjekjeje serioze, Komisioni konfirmonte se Kosova kishte plotësuar të gjitha standardet për liberalizimin e vizave, Kosova i kishte plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe inkurajonte Këshillin e Ministrave të BE-së dhe Parlamentin Evropian që të ecnin tutje me propozimin e Komisionit Evropian duke qenë personalisht i bindur që ishim shumë afër regjimit pa viza, i cili pritej të ndodhte shpejtë”.

Ishin të panumërta takimet e Zyrtarëve të Lartë të Institucioneve të Kosovës me homologët e tyre nga Shtetet Anëtare të BE-së që nga viti 2012 (kur na u dha Udhërrëfyesi për Liberalizim të Vizave)e deri më sot ku na thuhej se sa më shpejtë që plotësoni kriteret aq më shpejtë do të lëvizni pa viza. Nga pothuaj të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së na thuhej që sapo Komisioni Evropian ta konfirmojë përmbushjen e kritereve, qytetarët e Kosovës do gëzojnë këtë të drejtë elementare ashtu siç që sa vite e gëzojnë të gjitha vendet e rajonit. Dhe prapë, kur kriteret u plotësuan Shtetet Anëtare të BE-së sillen e mbështillen duke thënë se gjoja fryma në BE është shumë e komplikuar dhe se çdo vonesë eventuale në këtë drejtim nuk është për faj të Kosovës, por për shkak të problemeve multidimensionale që kanë kapluar BE-në gjithandej. Ndërkohë që institucionet e Kosovës edhe pse e kuptojnë gjendjen e përgjithshme dhe të rëndë brenda BE-së patjetër që do të vazhdojnë punën në të gjitha drejtimet e mundshme drejt integrimit evropian, ashtu sikundër që presin nga BE dhe Shtetet Anëtare të saj të respektojnë parimet dhe mbajnë premtimet.

Nëqoftëse kriza e refugjatëve sirianë ka dridhur BE-në në tërësinë e saj, ka rritur dhe thelluar ndasitë mes Shteteve Anëtare të BE-së, ka rritur popullizmin nacionalist gjithandej BE-së, ka pjellëBrexit-in dhe me një fjalë ka shkundur tërë BE-në, a mos duhet që Kosova të paguajë çmimin e këtyre problemeve gërryese brenda BE-së?! Nëqoftëse korrupsioni dhe krimi i organizuar janë evidente edhe në shtetet më të fuqishme të botës (shih TransparencyInternationalReport) përfshirë të gjitha vendet e BE-së pa përjashtim, atëherë as Kosova nuk mund të jetë imune duke pasur parasysh që, për dallim prej shteteve mbi 300 vjeçare, ne kemi vetëm 10 vite si shtet dhe kjo duhet pasur parasysh.

Kurse BE e pati ‘parasysh’ shumë këtë fakt, pra pikërisht që ishim vendi me të kaluar shumë të dhimbshme. Pra, edhe pse Kosova doli nga një luftë gjenocidale që sistematikisht ushtronte Serbia mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare, të cilën tërë NATO u zgjua në këmbë për ta ndaluar,BE na dyfishoji kriteret nga 42 sa kishin vendet e rajonit në 95. Nuk duhet harruar se pikërisht në kohën kur BE po vlon nga problemet e brendshme si p.sh. i) borxhi publik në rritje në tërë vendet e BE-së, ii) humbjet elektorale të partive tradicionale që mbështetën projektin Evropian dhe fuqizimi i atyre që synojnë shkatërrimin e këtij projekti, iii) rënien e nivelit të demokracisë nëpër shtete të ndryshme të BE-së, iv) rritja e disparitetit në zhvillim ekonomik mes jugut dhe veriut të BE-së, iv) rënien e lirë demografike nëpër tërë BE-në dhe nevojën për fuqi të re punëtore dhe jogatishmërinë e politikanëve të BE-së dhe Shteteve Anëtare të BE-së, për të përgatitur vendet e tyre për këtë trend në ardhje, Kosova në anën tjetërnë vitin 2016 e 2017 shënoi progres në Raportin e TransparencyInternationalduke ecur 10 vende më lartë dhe natyrisht plotësoi edhe kriteret për liberalizim të vizave.

Askush nuk e mohon korrupsionin endemik dhe krimin e organizuar në Kosovë, ashtu siç poashtu nuk mund ta mohojë korrupsionin multimiliardësh brenda BE-së, ku investitorë evropianë të mbështetur fort nga qeveritë e tyre investojnë nëpër shtete me popullsi të mëdha (si Kina, India, Brazili, Indonezia, Pakistani, Bangladeshi, Vietnami, etj.) të cilat vlojnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Mjafton të lexojmë sot gazetat e famshme botërore dhe të kuptojmë se ç’po ndodh nëpër botë, përfshirë BE-në. Këto gazeta me famë botërore, të cilat qytetarët e Kosovës sot kanë mundësi t’i lexojnë, të mekin për nivelet korruptive brenda për brenda BE-së.

Pra, kjo tregon që politikanët e Kosovës edhe po të trajnoheshin për korrupsion dhe krim të organizuar nuk do të mund të korruptoheshin sa homologët e tyre nëpër vende të BE-së dhe nëpër botë, sepse fundja buxheti i Kosovës është 2 miliardë euro, kurse këto gazeta të famshme botërore flasin për çdo ditë për mega afera multimiliardëshekorruptive gjithandej BE-së dhe gjithandej ku veprojnë firmat e BE-së. Pra, këtu qëllimi nuk është aspak relativizimi i së keqes, por vetëm krahasimi i gjendjes, e cila na tregon se politika në tërë botën është fatkeqësisht e lidhur direkt ose indirekt me paranë publike, sepse fundja vet e menaxhon paranë publike në çdo shtet të botës. Kjo është tejet e dhimbshme, por fatkeqësisht realitet, ndërkohë që institucioneve të Kosovës, do u duhen vite për të reduktuar këto dukuri të këqija, ashtu siç u kanë marrë vite dhe u marrin edhe vendeve më të fuqishme në glob, përfshirë BE-në.

Kosova edhe sa u përket procedurave të brendshme të BE-së, pati edhe një hap procedural shtesë, të cilin nuk e kishin të gjitha vendet e rajonit. Sipas Traktatit të Lisbonës, i hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2009, roli i Parlamentit Evropian qe fuqizuar në disa procedura legjislative. Përderisa opinioni pozitiv i Parlamentit për heqje të vizave për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë ka qenë jo-obligativ, kjo me Traktatin e Lisbonës u bë obligative. Pra, Kosova në të gjitha drejtimet e mundshme është përballur dhe po përballet me rritje të vështirësive.

Ajo çfarë është shqetësuese është fakti se BE shpesh është kalkulative. Në kohën kur Shqipëria dhe Kroacia qenë anëtarësuar në NATO, kishte një frikë brenda BE-së, kryesisht nga aleatë të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, se mos po prishet balanci i fuqisë në Ballkan Perëndimor. Dhe për të balancuar gjërat BE me shpejtësi u hoqi vizat këtyre tri shteteve edhe pse linin shumë për të dëshiruar pikërisht në fushën e Sundimit të Ligjit, ashtu siç edhe sot lënë shumë për të dëshiruar. BE ishte kalkulative edhe kur pranoi në gjirin e vet Rumaninë dhe Bullgarinë, shtete këto që edhe sot nuk janë anëtare të Schengenit, pikërisht për faktin se nuk kanë treguar sukses në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, qëllimi i pranimit të këtyre dy shteteve ishte rreziku i rrëshqitjes së këtyre dy vendeve drejt ombrellës në hapje ruse.

Nëse BE ka dashur të kalkulojë gjeopolitikisht kur i hoqi vizat Ukrainës e Gjeorgjisë, vende këto me pjesë territori të pushtuara nga Rusia, pra me siguri të brendshme dhe jashtme pothuaj zero, atëherë pse nuk kalkuloi njëjtë edhe me Kosovën, kur dihet qartë se Pavarësia e Kosovës, ligjërisht e pakontestuar as edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kontribuoi dukshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, kurse NATO, për dallim prej Ukrainës dhe Gjeorgjisë, garanton sigurinë e brendshme dhe të jashtme të Kosovës, diçka që nuk e ka Ukraina dhe Gjeorgjia.

Si ka mundësi që mos t’u hiqen vizat qytetarëve të Kosovës, kur Kosova është vendi më pro-evropian në Evropë (edhe më pro-evropiane se vet vendet e BE-së), kur Kosova feston 9 majin, Ditën e Evropës, e asnjë vend i BE-së nuk e feston, kur Kosova ka një popullsi tërësisht të orientuar kah BE, kur Kosova ka një diasporë të fuqishme që kontribuon në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendet të BE-së, ndërkohë që BE ende nuk e njeh zyrtarisht Kosovën?! Vetë fakti që BE nuk e njeh Kosovën tregon për problemet e thella që përshkojnë këtë organizim rajonal, pra që i bie që probleme nuk paska vetëm Kosova, por edhe BE bile edhe më të rënda se sa Kosova.

Na thuhet vazhdimisht që të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe ne u themi që kjo është një proces ku asnjë shtet i vetëm në botë nuk ka mundur të bëjë hapa të mëdhenj për një kohë të shkurtër. Sikur BE të ishte perfekte, pra me zero korrupsion dhe zero krim të organizuar, atëherë çdo kritikë do të ishte me vend, por raportet ndërkombëtare dhe mediat me nam botëror, siç u tha më lartë,flasin se të gjitha vendet e BE-së dhe tërë botës pa përjashtim kanë korrupsion dhe krim të organizuar, diku më shumë e diku më pak. E nëse kësaj ja shtojmë edhe ekonominë informalebrenda BE-së që mesatarisht është afër 20%, atëherë e tëra flet për jo-imunitetin e vendeve të BE-së karshi këtyre dukurive të këqija.

Përderisa rritja e borxhit publik do të sjellë shpejtë recesionin tjetër anembanë BE-së, atëherë si mund të arsyetohet kjo përpos me qeverisje të dobëta të vendeve anëtare të BE-së. Ndërkohë që Kosova ka borxhin publik më të ulëtin në Evropë, ka sektorin financiar ndër më stabilët në rajon, ka një stabilitet makrofiskal të qëndrueshëm, i cili pothuaj mungon në të gjitha vendet e BE-së. Dhe kjo nuk përmendet, sepse duhet kërkuar gjërat e këqija, sepse ato i ndihmojnë më së miri kalkulimit.

Kosova vazhdimisht kritikohet nëpër Raporte të Progresit të BE-së për drejtësi të dështuar. Por, ama pse BE as edhe një herë të vetme nuk vetë-reflektoi nëpër këto Raporte të rregullta të Progresit për efektet e vërteta të misionit më të madh të saj në Kosovë, EULEX, që kishte dhe ka për synim fuqizimin e sundimit të ligjit, përfshirë përmirësimin e sistemit të drejtësisë sipas praktikave dhe standardeve evropiane. Ndërkohë që Kosova këtij misioni i kishte hapur dyert menjëherë pas shpalljes së pavarësisë dhe se qytetarët e Kosovës e meritojnë të informohen qartë me një vetë-kritikë të EULEX-it mbi të arriturat/të paarriturat e këtij misioni i cili ende vazhdon të operojë në Kosovë.

Pyetja është: kush e ndali EULEX-in që të fuqizojë Sundimin e Ligjit në Kosovë kur dihet se disponimi dhe pritjet qytetare ishin shumë të mëdha?!Si ka mundësi që Kosova të merr donacione të BE-së më së shumti për kokë banori në Ballkan, të ketë misionin më të madh të BE-së për Sundim të Ligjit dhe të ketë probleme me Sundim të Ligjit?! Kush e ndali BE-në që të veprojë, kur dihet se i kishte të gjitha duart e lira për të arrestuar kë të donte dhe kur të donte duke pasur edhe KFOR-in në ndihmë për çfarëdo lëvizje që mund të ndodhte?! Nëqoftëse EULEX-i ka kalkuluar politikisht, pra nuk ka vepruar për hire të stabilitetit politik dhe proceseve të ndërlikuara politike, atëherë për këtë nuk janë fajtorë qytetarët e Kosovës. Kjo sepse qytetarët e Kosovës kanë pritur drejtësi nga EULEX-i e jo kalkulime politike. Pra, vetë fakti që EULEX-i kalkulonte politikisht dëshmon për ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë në Kosovë, prandaj përgjegjësia duhet ndarë dhe secili të merr përgjegjësinë e vet, jo të hidhet vrer vetëm në drejtim të institucioneve të Kosovës.

Shpesh krahasimet sjellin fakte. Kosova, siç u tha më lartë nuk ka më shumë se 10 vite shtet. Dhe kërkesat e BE-së janë që ne të reflektojmë në të gjitha drejtimet e mundshme duke iu referuar më së shpeshti problemeve në sektorin e Sundimit të Ligjit. Por harrohet fakti se segmentet e shtetit ecën paralelisht, nuk mund të presësh Sundim të avancuar të Ligjit e zhvillim dhe rritje modeste ekonomike. A mund të thotë dikush që vendet e BE-së 10 vite pas Luftës së Dytë Botërore (LDB) kishin si pre-okupim kryesor Sundimin e Ligjit?! Këtë askush nuk mund ta thotë, sepse s’ka as edhe një fakt të vetëm.

Absolutisht jo, viti 1955 (pra 10 vite pas Luftës së Dytë Botërore) ishte një vit ku vetëm për Sundim të Ligjit nuk mendohej në Evropë. Kjo sepse gjendja e përgjithshme e sigurisë në Evropë ishte tepër e cenueshme dhe shtetet kishin prioritet sigurinë e qytetarëve të tyre para çdo korrupsioni apo krimi të organizuar. Bile-bile vendet e BE-së vetëm pas vitit 1970 mund të konsiderohen si më të konsoliduara sa i përket aspektit të Sundimit të Ligjit. Kjo sepse vetëm pas vitit 1970 filluan rritjen ekonomike, pra diçka që shkonte krahas me fuqizimin e Sundimit të Ligjit. Me fjalë tjera, mos të pret dikush që Kosova si shtet i ri të lulëzojë në fushën e Sundimit të Ligjit e të ketë zhvillim të ultë ekonomik. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës e nuk do të ndodh as në Kosovë. E të gjithë e dinë që rajoni i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, ka kaluar nga një sistem komunist në atë demokratik, ka kaluar nëpër 10 vite luftë, ka humbur tregjet, është de-industrializuar, privatizimet kanë dështuar në pothuaj tërë botën komuniste dhe të gjitha këto kanë bërë që rajoni i Ballkanit të ketë përqindjet më të larta të emigracionit në Evropë. Me gjithë këto vështirësi, Kosova vazhdon të ketë një rritje ekonomike solide prej 4% ndër vite që është më e lartë se sa mesatarja e BE-së.

Po thuhet nga qarqe dashakeqëse se “nëse nuk liberalizohen vizat nuk është fundi i botës”. Është fakt që nuk është. Po pyetja atëherë shtrohet “e nëse liberalizohen vizat e është fundi i botës”?! Fundja, lëvizja e lirë e njerëzve, është fondamenti i BE-së, sepse pikërisht duke mundësuar lëvizjen e lirë qytetarëve BE arriti këtu ku është sot. Prandaj, vazhdimi i izolimit të Kosovës do të rrisë pakënaqësinë qytetare, do të fuqizojë forcat politike populliste në Kosovë, me pasojat e të cilave vendet e BE-së veç janë duke u përballur, do të venis dukshëm mbajtjen gjallë të perspektivës evropiane dhe do të mund të sillte probleme të tjera me efekte rajonale.

Dhe kjo sigurisht që do të binte ndesh me zhvillimet pozitive në Maqedoni pas ndryshimeve kushtetuese për ndryshimin e emrit, me reformën në drejtësi dhe integrimin evropian të Shqipërisë, me orientimin pro-perëndimor të qeverisë së Malit të Zi dhe sigurisht do të binte ndesh me tërë pritjet e Procesit të Berlinit për përmirësim të infrastrukturës së gjithmbarshme në rajon, diçka që i ka munguar dhe ende i mungon rajonit.

Vazhdimisht na thuhet që të dialogojmë me Serbinë. Dhe ne vazhdimisht dialogojmë, pa marrë parasysh çmimin që paguajmë si institucionet tona para qytetarëve tanë, të cilët nga mos pozicionimi i qartë i BE-së në këtë proces, çdo ditë e më tepër dëshpërohen për këtë dramë me Serbinë së cilës nuk i shihet fundi. Ka mbi 15 vite që institucionet e Kosovës vazhdimisht duhet të harxhojnë energji të paparë që të dialogojnë me Serbinë, në vend që të merremi me problemet reale të qytetarëve tanë.Dhe nga ky dialog i pafund arrijmë marrëveshje me Serbinë për mos pengim të njëri tjetrit në anëtarësime dhe integrime të ndryshme nëpër mekanizma të ndryshëm rajonal dhe ndërkombëtarë, ndërkohë që Serbia haptazi pengon Kosovën në të gjitha përpjekjet e saj për anëtarësime në mekanizma të ndryshëm rajonal dhe ndërkombëtarë.

Pra, nuk duhet të mendohet se mos liberalizimi i vizave mund të sjell rezultate më të mira të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sepse do të përdoret si presion. Përkundrazi, mos liberalizimi i vizave do të zbeh çdo dialog me Serbinë, sepse qytetarët e Kosovës me të drejtë do të shprehnin shqetësimin se Serbia edhe po pengon Kosovën edhe po avancon në rrugën e saj drejt BE-së. Ndërkohë që Kosovës edhe pse po i duhet të investojë shumë në bisedimet me Serbinë duke bërë aty këtu ndonjë koncesion në dëm të Kosovës nuk po merr asgjë nga BE. Pra, kjo qasje kalkulative e BE-së nuk pritet të sjell fryte kuptimplote.

Rasti më tipik është kur Serbia haptazi lobon për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nëpër shtete të ndryshme të botës, pengon Kosovën për t’u anëtarësuar në UNESCO, Interpol dhe iniciativa të ndryshme rajonale. Për më tepër Serbia nuk zbaton as edhe një marrëveshje të vetme të arritur gjatë dialogimit me Kosovën, mbështet haptazi strukturat në Veri të Kosovës dhe e tëra kjo bëhet para syve të botës.

Përkundër këtyre obstruksioneve konstante që bën Serbia, Kosovës vazhdimisht i kërkohet që të vazhdojë dialogun me Serbinë, ndërkohë që BE nuk bën as edhe një hap të vetëm në favor të Kosovës. E rasti i liberalizimit të vizave është rasti më tipik. Ka një tendencë të pathënë që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo ndërkohë kur ju hoqën vizat Serbisë nuk u kërkua dhe as nuk u la të nënkuptohej. Bile-bile, Serbisë ju hoqën vizat pa e definuar qartë kufirin me Kosovën.

Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë të mbesin edhe më tutje të izoluar për shkak të problemeve të brendshme që kanë institucionet e BE-së dhe Shtetet Anëtare të saj. E duhet ditur, që edhe pse problemet e kanë shoqëruar BE-në qysh prej filleve të saj, ajo vazhdimisht ja ka arritur që të ecën përpara me projektin e përfshirjes së shteteve të reja në gjirin e vet. Çdo tendencë për ndalje të këtij projekti do të jetë fatale për BE-në.

Pse nuk përmenden pikat e forta kur flitet për viza?! Kosova dha shembullin e vetëm në botë kur bashkëpunoi pa asnjë hezitim me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi. I gjithë menaxhmenti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkëpunoi ngushtë me UNMIK-un dhe Tribunalin e Hagës pas asnjë rezervë. Pra, ne bashkëpunuam sepse ishim të bindur që bëmë luftë çlirimtare, se u mbështetëm fuqishëm nga NATO dhe diplomacia botërore. Ku ka ndodhur kjo? Ndërkohë që prijësit nazistë, Kmerët e Kuq, serbët,ruandezët, të gjitha tentuan të kamuflohen e t’i ikin drejtësisë botërore. Shqiptarët e Kosovës, edhe pse luftonin për çlirimin e vendit të tyre, kurrë nuk i ikën drejtësisë. Sa ishte UNMIK-u, kishte mundësi që të hetonte dhe arrestonte këdo për krime të luftës, sepse kishte pushtet pothuaj absolut, por nuk e bënte dhe tash a janë fajtorë qytetarët e Kosovës pse UNMIK-u nuk vepronte?!

Bile bile paradoksi ndodhi kur Tribunali i Hagës nuk mjaftoi për hetime të krimeve të luftës dhe me iniciativë ruse e serbe, Këshilli i Evropës përmes Raportit të DickMartytdëmtoi rëndë luftën çlirimtare të Kosovës kundër Serbisë, si rezultat i të cilit u themelua Gjykata Speciale për krime lufte, si rast i paprecedentë në botë. Thua ti se Tribunalin e Hagës e ndalonte ndokush që të arrestonte dhe dënonte këdo nga Kosova. Si mund ta pengonin shqiptarët funksionimin e Tribunalit të Hagës kur ata bashkëpunonin plotësisht me të. Ndërsa ishin serbët ata që fshihnin kriminelët dhe nuk bashkëpunonin ndërsa shqiptarët e Kosovës e përpin edhe këtë të keqe të pariparueshme, vetëm e vetëm që të japin shembullin demokratik, se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo segment të bashkësisë ndërkombëtare.

Pa marrë parasysh çfarë ndodhi dhe u tha, Kosova kishte, ka dhe do të ketë vetëm një orientim, e ai është anëtarësimi i plotë në BE. Këtu nuk ka asnjë mëdyshje, ky orientim është i pa-alternativë.Sa më herët që ndodh aq më mirë për BE-në dhe Kosovën natyrisht. BE duhet pasur parasysh që zgjidhjet e mëdha mund të dalin edhe përmes dyerve të vogla. Nëqoftëse qytetarët e Kosovës paska mundësi të shkojnë me kontrata pune nëpër të gjitha vendet e BE-së, pse nuk paskan mundësi që të shkojnë edhe për vizita turistike pa pasur nevojë të presin me orë të tëra dhe të paguajnë taksa të larta për viza. Pse rinia jonë, aq e dëshiruar në tregun e BE-së, qenka e dëshirueshme me kontrata pune, kurse e padëshirueshme për vizita turistike. A mund të konsiderohet kjo drejtësi?!

Qytetarët e Kosovës e vizitojnë kohë pas kohe Stambollin, i cili asnjëherë nuk ka vënë viza për Kosovën, por duke qenë të orientuar tërësisht kah BE duan që të frekuentojnë shumë më shpesh Berlinin, Parisin, Romën e Brukselin, sepse aty shohin të ardhmen e vetme dhe prosperuese. Sepse orientimin pro-evropian qytetarët e Kosovës e tregojnë edhe në rrugë, ku mbi 95% të makinave janë me prejardhje nga vendet e ndryshme të BE-së. Sepse orientimin evropian e tregojnë qytetarët e Kosovës edhe me flamuj të vendeve të ndryshme të BE-së të varur nëpër vende publike, shtëpi dhe çdokund.

Pra, edhe një herë, qytetarët e Kosovës nuk duhet të paguajnë çmimin e pritjes pafund për viza, sepse nëse ka ndonjë shtet që ka paguar ndonjë çmim, qytetarët e Kosovës janë numër një në Evropë. Pse ne duhet të paguajmë çmimin e pritjes së mëtejme, sepse në BE po ekzistuaka frika se liberalizimi i vizave mund të rrisë ndikimin e forcave ekstreme brenda Shteteve Anëtare të BE-së dhe mund të ndryshojë përbërjen e Parlamentit Evropian në 2019, forca këto të cilat janë të orientuara kundër imigracionit për efekte të pastra elektorale?! Vazhdimisht gjendet një arsyetim për mosliberalizim, një herë thuhej plotësoni kriteret, kur ato u plotësuan, tash na dalin, edhe pse nuk thuhet publikisht, zgjedhjet për Parlament Evropian.

E kush na garanton që pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian nuk do të ketë probleme tjera. Vetë fakti që borxhi publik është në rritje në të gjitha vendet e BE-së tregon për krizën tjetër në ardhje brenda BE-së dhe më gjerë. Vetë kjo krizë financiare në ardhje mund të pjellë ndonjë –xit tjetër, pas Brexit-it. E nëse BE gjendet në një situatë të tillë duhet që të jetë e sinqertë me vetveten në radhë të parë e pastaj edhe me qytetarët e Kosovës duke u thënë që kemi mijëra probleme të brendshme që janë duke e gërryer të ardhmen e BE-së.

Nuk duhet bërë argatin askujt, aq më pak institucioneve të Kosovës. Është fakt që Kosova ka korrupsion dhe korrupsionistët janë kryesisht politikanë dhe biznese të lidhura me ta. Po kjo nuk është ndryshe në asnjë vend të botës. Në vende të zhvilluara korrupsioni shkon në triliona dollarë. Është fakt që sistemi i drejtësisë ka probleme strukturore. Por, nuk duhet harruar se sistemi i drejtësisë do të përmirësohet krahas zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Askush mos të shpresojë që një veting do të mund ta përmirësonte dukshëm këtë sistem.

Vetingu është një veprim minor krahasuar me problemet strukturore që ka sistemi i drejtësisë, rrënjët e të cilit shtrihen që nga sistemi jugosllav, ku shqiptarët e Kosovës kurrë nuk i besuan sistemit të drejtësisë dhe shtetit jugosllav, gjithmonë i panë si të huaja dhe kjo logjikë do të ndryshojë vetëm me ndryshimin e shoqërisë. Për më tepër vendet komuniste vetëm sisteme të drejtësisë nuk kishin, kjo sepse sistemet e atëhershme ishin sisteme të direktivave shtetërore, ku shteti ndërhynte haptazi në gjykata, prokurori e burgje. Sigurisht që ka korrupsion dhe krim të organizuar gjithandej, por çdokush që shpreson që sistemi i drejtësisë në Kosovë do të rregullohet për një kohë të shkurtë, atëherë ai apo ajo e ka humbur orientimin në kohë dhe hapësirë. Natyrisht që institucionet e Kosovës nuk duhet të ndalen në këtë drejtim, sepse përmirësimi i sistemit të drejtësisë është para se gjithash interes jetik për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.

E procesi i liberalizimit të vizave është hapi i vetëm i BE-së, kuptohet para anëtarësimit në këtë organizim rajonal, që konfirmon dhe mban gjallë perspektivën evropiane për qytetarët e Kosovës. Prandaj, i bëjmë thirrje BE-së që të hapë portat, sepse qytetarët e Kosovës qysh moti e meritojnë një trajtim të tillë. Nuk duhet harruar fakti që siguria individuale në Kosovë është shumë më e lartë se sa në metropolet e BE-së, për këtë ka fakte, por edhe vetë përfaqësues të vendeve të BE-së që veprojnë në Kosovë e thonë këtë.