Sport

Drejtori i Zvicrës kyçet në debatin për Shaqirin: S’kemi të drejtë ta fajësojmë

“Ne do ta vizitojmë Xherdanin në klubin e tij, do ta mbështesim për të kuptuar se çfarë i shkakton problemet e tij”, – thotë drejtori i ekipeve kombëtare të Zvicrës, Pierluigi Tami.

Sikurse dihet, Shaqiri kishte hequr dorë vullnetarisht nga dy ndeshjet kualifikuese të shtatorit, që helvetët i luajtën në Irlandë dhe kundër Gjibraltarit javën e kaluar. Kjo gjë kishte shkaktuar shumë diskutime, madje një “tërmet” në mediat e opinionin futbollistik zviceran.

Ky mision nuk ka të bëjë vetëm me Shaqirin si lojtar i ekipit kombëtar, por edhe për të si njeri, që mund të jetë duke kaluar një moment të pakëndshëm, një kohë të vështirë. Për Xherdanin si futbollist bëhet fjalë për dikë që “thuajse gjithmonë ishte me ekipin kombëtar”. Kjo është arsyeja pse Tami thotë:

“Ne nuk kemi të drejtë ta fajësojmë Shaqirin. Ai ka luajtur mbi 80 ndeshje ndërkombëtarë për Zvicrën”.

Tami nuk i mohon problemet, por ato janë gjithmonë në futboll, ndodhin dhe në çdo ekip:

“Ka çështje të hapura dhe problem që vijnë për shqyrtim në tryezën tonë të punës. Ne duhet të përballemi me to pa humbur kohë, sepse nuk do të zgjidhen vetë. Udhëheqja teknike e ekipit kombëtar është në dijeni të kësaj. Për këtë arsye do të jemi në kërkim të një dialogu edhe me Stephan Lichtsteiner”.

Në fakt, kapiteni Lichtsteiner nuk u thirr nga trajneri i kombëtares zvicerane, Vladimir Petkovic. Pierluigi Tami ka zyrtarisht në këtë detyrë që nga llimi i gushtit. Pas pak më shumë se një muaji, ai e sheh veten në përballje me mosmarrëveshje delikate. Sidoqoftë, përkundër rëndësisë së Shaqirit për “Nati”, ai do t’i qëndrojë besnik parimit të punës: përparësi ka skuadra, jo individët.

“Ne duhet të kujdesemi për lojtarët si individë, por nuk duhet të heqim vëmendjen nga kolektivi”, – sqaroi Tami.

Pra, është e qartë: SFV dëshiron t’i japë Shaqirit mbështetjen e nevojshme, për t’i lënë atij të kuptojë se sa i rëndësishëm është dhe se dëshiron ta shohë në tetor duke luajtur në ndeshjet vendimtare të kualikueseve të “Euro 2020”, kundër Danimarkës dhe Irlandës /FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli