Aktuale

Drejtori Menaxhues i AKP-së emëron Drejtor në mënyrë të jashtëligjshme!

Drejtori Menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari ka vepruar kundërligjshëm me emërimin e një personi në një pozitë të re, kështu duke mos përfillur vendimin e Bordit Drejtorëve të AKP-së, i cili parasheh procedura të brendshme të rekrutimit për pozita të reja.

“Gazeta Blic” ka arritur të sigurojë vendimin e Hajdarit, përmes të cilit sot ka emëruar drejtor te burimeve njerëzore Liana Xharra-Tolaj. Emërimi i saj është bërë me shuarjen e pozitës së Menaxherit të Burimeve Njerëzore. Po ashtu të njëjtes i është caktuar edhe paga në vlerë prej 2 mijë e 759 euro e 75 cent.

Ndërkohë “Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që të flasë me Drejtorin Menaxhues në AKP, Hajdari për të kërkuar një sqarim lidhur me vendimin në fjalë, por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.