Aktuale

Drejtori i Spitalit të Vushtrrisë: Ka ndodhë një defekt i vogël, nuk ka të lënduar

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se drejtori i Spitalit të Vushtrrisë, Hajrullah Saraqi ka njoftuar sot ministrin Imet Rrahmani për siç ka thënë “një defekt të vogël që ka ndodhur aty, përkatësisht ‘rënien e disa pllakave të knauf-it’”, të cilat sipas njoftimit të drejtorit, nuk kanë paraqitur kurrfarë rreziku as për pacientët e as për personelin aty.

“Në njoftimin e drejtorit, bëhet e ditur se defekti është sanuar për 30 minuta nga punë kryerësi që ka bërë renovimin e spitalit, për çfarë janë bindur edhe mediat që kanë vizituar spitalin, për të parë se gjendja është sanuar në tërësi”, thuhet në komunikatë.

Siç thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë drejtori i Spitalit ka shprehur keqardhje për dezinformatat për kinse të lënduar, situatë kjo që është demantuar se nuk qëndron ashtu edhe nga stafi i Spitalit edhe nga Policia e Regjionit të Mitrovicës që kanë bërë inspektimin e vendit ku ka ndodhur defekti.

“Gjithashtu, shprehet keqardhje për nxitimin e individëve të caktuar për t’i dhënë dramaticitet ngjarjes dhe zmadhimin e problemit, për çfarë drejtoria e Spitalit të Vushtrrisë shpreh shqetësimin se kjo mund të ndikojë negativisht edhe te donatori që ka investuar në spital, Emiratet e Bashkuara Arabe”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.