Aktuale

Dyfishim pagës së gjyqtarëve pas Vetingut, fatura 2 mld lekë të rinj

Pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve do të dyfishohen. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve se, pas përfundimit të procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, pagat e tyre do të rriten 100 për qind
“Pagat e institucioneve të Drejtësisë pas vetingut rriten me 100%, që është një rritje page rekord me atë që ofron buxheti, por dhe një set institucionesh që bën të mundur funksionimin e një sistemi të ri drejtësie”, tha Ahmetaj.

Para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, ku ishin prezentë edhe demokrati Gent Strazimiri dhe demokristiani Nard Ndoka, ministri i Financave prezantoi pjesën e buxhetit që i takon zbatimit të Reformës në Drejtësi.

“Në negociatë me Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi, ne kemi vendosur koston bazë që do të ketë Reforma në Drejtësi sa i përket krijimit të institucioneve të reja, financimit të tyre në vazhdimësi, dhe rritjes së pagave të sistemit të drejtësisë, i cili në kuadrin e tri viteve në vazhdim hyn në trajektore të plotë, me një kosto rreth 1.8-2 miliardë lekë të rinj”, tha ministri i Financave.

Për kreun e Financave, duke nisur nga buxheti i vitit të ardhshëm, në sistemin e drejtësisë nis një epokë e re.

“Në të njëjtën kohë, buxheti i vitit 2017 është kujdesur që të financojë me të gjitha nevojat institucionet e sistemit të drejtësisë, gjykatat, prokuroritë, si dhe institucionet e reja dhe, në diskutim në nivel teknik me ta kemi dakordësuar në financimin e kërkesave të tyre si nga ana operative, ashtu edhe nga ana logjistike, apo e mbështetjes me investime apo me personel. Sa i përket Komisionit të Ligjeve, me këtë buxhet dhe këtë reformë nis një epokë e re e financimit të sistemit të drejtësisë, qoftë nga ana strukturore, qoftë edhe nga ana e nivelit të financimit dhe është reflektim i plotë i asaj që Komisioni i Reformës në Drejtësi dhe Parlamenti kanë pranuar me konsensus sa i takon Reformës në Drejtësi”, tha Ahmetaj.

Parlamenti miratoi Reformën në Drejtësi me konsensus të plotë, ndërsa 7 ligjet që shoqërojnë atë nuk kanë marrë votën e opozitës. Ligjin më të rëndësishëm të kësaj reforme, atë të vetingut, procesit të skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, e pezulloi Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së bërë nga Partia Demokratike.

Me pezullimin e këtij ligji, deri në dhënien e vendimit përfundimtar të kësaj gjykate, ka “ngrirë” realisht zbatimi i Reformës në Drejtësi, e cila duhet të niste me skanimin e pastërtisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë.

Procesi i vetingut përcakton mënyrën e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në komponentët e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe vlerësimit profesional. Ai përcakton gjithashtu edhe kompetencat e institucioneve të vetingut – Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Kolegji i Apelimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit /Panorama/