Aktuale

Edi Rama pranon se i ka kërkuar Haradinajt ta pezullojë taksën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ftuar në emisionin televiziv ‘Opinion’ ka folur për përplasjet që ka pasur me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Rama është shprehur se Haradinaj ka gënjyer kur ka thënë që unë i kam kërkuar heqjen e taksës.

“Ramushi, fatkeqësisht ka gënjyer sepse nuk i ka kërkuar askush ta heqë taksën, i është kërkuar vetëm pezullimi i taksës, për ti dhënë një shansë rifillimit të dialogut me angazhim direkt të Kancelarës Merkel dhe Presidentit Macron. I kam thënë ky për mua është propozim fantastik dhe pranoje”.

Rama tha se në Samitin e Berlinit ka qenë një moment ideal që taksa të funksiononte.

“Taksën e kam mbështetur që ditën e parë, jo si masë tregtare sepse është kundër gjithë rregullave, por e kam mbrojtur në çdo takim me të gjithë partnerët, është klithmë që Kosova e bën për tu dëgjuar, se ne jemi këtu dhe jemi angazhuar për një dialog me vite e vite dhe nuk po marrim asgjë ndërsa Serbia hap kapituj për negociata”.

Edi Rama, gjithashtu tha se klithma bëhet që të sensibilizosh dhe në momentin kur vijnë dy liderët e Evropës dhe të thonë të lutem pezulloje për 4 deri në 6 muaj dhe ne do të angazhohemi personalisht ne që të funksionojë procesi dhe ta shtyjmë përpara, tani normalisht pezulloje se nuk po të thonë hiqe, është shprehur Kryeministri Shqiptar.