Aktuale

Edi Rama thotë se ka simpati dhe e mirëkupton Vuçiqin kur bëhet fjalë për Kosovën!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia përmes dialogut do të gjejnë zgjidhje dhe se sipas tij më së miri do të ishte që Serbia ta njeh plotësisht pavarësinë e Kosovës.
Ai në një intervistë për televizionin serb Prva ka thënë se ka mirëkuptim për përpjekjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Shpresoj që bisedimet së shpejti do të përmbyllen, kam simpati të plotë dhe mirëkuptim për përpjekjet e presidentit Vuçiq. Janë përpjekje të dhimbshme që të hyni në atë proces dhe të shkoni drejt zgjidhjes”, ka thënë Rama, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, Shqipëria dhe Serbia janë pajtuar që për Kosovën nuk pajtohen, ndërsa mendimi i tij është që zgjidhja e vetme e drejt është njohja e plotë e Kosovës nga Serbia dhe se kjo është mënyra e vetme që të zgjidhen konfliktet e përgjakshme dhe e kaluara e rëndë.

Ai ka thënë se zgjidhja mbetet në duart e të dy palëve.

“Shqipëria është e interesuar për zgjidhje, por ne asnjëherë nuk flasim në emër të Kosovës, por në të mirë të Kosovës. E di që qëndrimet tona nuk mirëpriten në Beograd, por ato janë të tilla”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.

Këto komente Rama i ka bërë në Bruksel ku po mbahet Samiti i NATO-s. /Lajmi.net/