Rajon & Botë

Ekstremi i djathtë austriak forcon lidhjet me partinë ”Rusia e bashkuar”

Formacioni i ekstremit të djathtë austriak, FPO njoftoi se kishte arritur sot nënshkrimin e një kontrate bashkëpunimi me partinë ”Rusia e bashkuar” të presidentit, Vladimir Putin duke i ofruar këtij të fundit një qasje të re në Evropën Perëndimore.

“Teksti, i nënshkruar në Moskë nga kreu i FPO, Heinz-Christian Strache dhe drejtuesit e partisë ‘Rusia e bashkuar’, parashikon një bashkëpunim në rritje në nivele të ndryshme, nga të rinjtë dhe studentët në organizatat rajonale duke kaluar tek çështjet ndërkombëtare”, sipas një komunikate të FPO-së.

Strache kërkoi me këtë rast një heqje të sanksioneve ndërkombëtare, ekonomikisht të dëmshme dhe të panevojshme, që kanë goditur Rusinë që prej pushtimit të Krimesë në vitin 2014.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i partisë ”Rusia e bashkuar”, Sergei Jelezniak u shpreh se dëshironte të kontribuonte në riforcimin e partneritetit mes partive dhe Rusisë, veçanërisht në fushën e vlerave tradicionale.

Ky nënshkrim shënon një etapë të re në afrimin e Rusisë së Bashkuar me lëvizje të ndryshme sovraniste dhe të ektremit të djathtë në Evropën perëndimore.