Aktuale

Emin Beqirit i ndërrohet vendi i punës

Emin Beqiri ka më shumë se një javë që nuk është drejtor i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës. Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që t’ia ndërrojë vendin e punës, pasi Prokuroria Speciale po e heton në lidhje me rastin e mbylljes së një hetimi me para, ku dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe Beqiri.

Gazeta ka mësuar se Beqiri është transferuar si zyrtar i administratës në Njësitin e Policisë Speciale, shkruan sot “Koha Ditore”.Rekomandimin për transferim të tij për gazetën e ka konfirmuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) lidhur me rastin dhe zyrtarin në fjalë i ka rekomanduar Policisë së Kosovës më 07.08.2017 masën administrative të transferit deri në përfundim të procedurës hetimore, dhe ky rekomandim është zbatuar nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.