Aktuale

ESHS: Rritet numri i turistëve të cilët vizitojnë Maqedoninë

Enti Shtetëror i Statistikave i Maqedonisë bëri të ditur të hënën se numri i turistëve të cilët kanë vizituar Maqedoninë në prill të këtij viti ka qenë 68.047, ndërsa numri i bujtjeve 140.081, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar shënon rritje për 18,4 për qind dhe 18,6 për qind.

Siç njofton ESHS, numri i turistëve vendor, krahasuar me prillin e vitit të kaluar është rritur për 15,8 për qind, ndërsa numri i turistëve të huaj është rritur për 19,6 për qind, tek të cilët janë regjistruar edhe rritje të bujtjeve.

Sa i përket shtetësisë së turistëve, numri më i madh i tyre ka qenë nga Turqia, të ndjekur nga turistët nga Greqia, Bullgaria, Serbia, vijojnë shtetet aziatike, dhe më pas Gjermania, Kroacia, Kosova, Shqipëria, etj.

Të dhënat statistikore tregojnë se në periudhën janar-prill të këtij vitit, në krahasim me periudhën e njëjtë nga vitit paraprak, numri i turistëve është rritur për 10,7 për qind. Te turistët vendor ka rritje për 9,4 për qind, ndërsa te të huajt për 11,4 për qind.

Në periudhën janar-prill të këtij viti, në krahasim me periudhën e njëjtë nga viti paraprak, numri i bujtjeve është rritur për 9,8 për qind, ku te turistët vendor ka rritje për 3,4 për qind, ndërsa te të huaj për 14,6 për qind.