Arsim & Kulturë

Fakulteti i Kulturës Fizike së shpejti fillon bashkëpunimin edhe me EUSA – Asociacionin e Sportit Universitar të Evropës

Me qëllim të bashkëpunimit me Fakultetin e Kulturës Fizike, sot në Kolegjin AAB qëndroi për vizitë një delegacion i Asociacionit të Sportit Universitar Evropian (EUSA).

Në takimin e mbajtur në kuadër të vizitës, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit reciprok në mes të Kolegjit AAB dhe EUSA-s me theks të veçantë në organizmin e garave të ndryshme sportive, pjesëmarrjen e studentëve në gara ndërkombëtare si dhe për mundësinë e aplikimit në projekte të ndryshme që financohen nga EUSA.

Mysafirët që vizituan Kolegjin AAB u ndanë tejet të kënaqur me hapësirat moderne në Kolegjin AAB. Ata shtuan se Fakulteti i Kulturës Fizike në Kolegjin AAB zellshëm po kontribuon në aftësimin e sportistëve që sot kanë treguar sukses dhe kanë përfaqësuar Kosovën jo vetëm ne vend por edhe botë.

Delegacioni i përbërë nga: Besim Aliti, drejtor sportiv i EUSA; Zrinko Custonja, kryetar i Federatës së Sportit Universitar në Kroaci; Besnik Veliu, kryetar i Federatës së Sportit Universitar të Shqipërisë; Liam Smith, anëtar i Bordit Ekzekutiv në EUSA; Ismet Krasniqi, kryetar i Federatës së Karatesë në Kosovë dhe Musa Selimi, kryetar i Federatës së Sportit Universitar të Kosovës, u mirëpritën në Kolegjin AAB nga zv.rektori Shemsedin Vehapi, dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike Fatmir Pireva dhe prof. Veton Vula.

the authorBurbuqe Metolli