Aktuale

Fati i integrimit të Shqipërisë në BE “peng” i kapitujve 23 dhe 24, ja për çfarë flasin

“Negociatat fillojnë dhe mbyllen me kapitullin 23 dhe 24”, kështu u shpreh në një takim jashtë kamerave me gazetarët para vendimit të KE-së, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, kur u pyet se cilët ishin kapitujt që mund të hapeshin të parët.

Janë këta kapitujt që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat e njeriut, lirinë e lëvizjes dhe sigurinë.

Edhe zëvendësministrja e Integrimit, Erisa Xhixho, e pyetur nga “Monitor” se çfarë do të ndodhë me hapjen e kapitujve pas vendimit që do të marrë Këshilli i Europës (nëse do ta pranojë rekomandimin e KE-së, që ka gjasa të jetë pozitiv) tha se kjo është një çështje që zgjidhet nga bashkëbisedimet mes organizmave europianë dhe Shqipërisë.

Por, hapja e negociatave nis pikërisht me kapitullin 23 dhe 24, duke vazhduar më pas me të tjerë, sikundër mund të ecet paralelisht edhe me kapituj të tjerë.

Përvoja e BE-së me vende si Rumania, Bullgaria, Kroacia bëri që të ndryshonte strategjia e zgjerimit sa i përket renditjes së kapitujve negociues, pra, të fillohej me kapituj 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në qoftë se vendet anëtare nuk tregojnë progres në lidhje me këta kapituj, atëherë nuk mund të hapen kapitujt e rinj, madje procesi i negociatave mund të ndalet plotësisht. Një ndryshim tjetër është se nga vendi kandidat pritet që para se të anëtarësohet në BE, të përmirësojë qeverisjen ekonomike dhe fuqinë konkurruese. Dhe qasja e tretë është përforcimi i institucioneve demokratike të vendit kandidat për në BE.

Në verën e këtij viti ishte Serbia ajo që hapi me BE-në kapitujt 23 dhe 24 të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Edhe Mali i Zi (pavarësisht se i ka hapur bisedimet në vitin 2013 për kapitujt 23 dhe 24) vazhdon të kritikohet në lidhje me sundimin e ligjit.

Në Maqedoni, kriza e sistemit të drejtësisë ka bërë që vendi të hyjë në një konflikt politik, që jep efekte negative edhe sot e kësaj dite.

Në Bosnjë-Hercegovinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike dhe dështimit të zbatimit të disa reformave, ka bërë që procesi i anëtarësimit të këtij vendi të jetë në vendnumëro.

Në Kosovë negociatat për liberalizimin e vizave vazhdojnë, ndërsa kërkohet progres në luftën kundër korrupsionit, çështjen e demarkacionit, si dhe sundimin e ligjit.