Sport

Federata e Futbollit e Çekisë ndryshon mënyrën e shitjes së biletave për ndeshjen me Kosovën

Federata e Futbollit e Çekisë ka njoftuar se – duke qenë e vetëdijshme për, siç thotë, rrezikun e madh për sigurinë që mund të paraqesë ndeshja kualifikuese për Euro 2020 kundër Kosovës – ka vendosur ta ndryshojë mënyrën e shitjes së biletave për këtë takim, i përcaktuar të luhet më 14 nëntor në Pilsen.

Si rrjedhojë, tifozët cekë detyrohen të blejnë biletë për këtë ndeshje vetëm në zyrat e Stadiumit Doosan Arena në Pilsen – aty ku do të zhvillohet ndeshja – duke u paraqitur fizikisht dhe duke ofruar letërnjoftim të vlefshëm, dhe jo online siç ishte paraparë më herët.

Shitja e biletave e paraparë të niste online të enjten, pra sot, është anuluar. Federata çeke njofton se biletat do të dalin në shitje më 23 tetor dhe një person gëzon të drejtën e blerjes së katër biletave në maksimum.

Po ashtu, federata çeke i ka paralajmëruar tifozët dardanë të Kombëtares së Kosovës se ata mund të blejnë biletë për këtë ndeshje vetëm përmes Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilës ia ka ndarë vetëm 627 sosh.

“Bazuar në të gjeturat jo vetëm në Republikë e Çekisë, ndeshja me Kosovën vlerësohet të jetë e rrezikut të lartë, prandaj garantimi i sigurisë është prioriteti jonë”, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Çekisë, Martin Malik, duke i shpjeguar arsyet e anulimit të shitjes së biletave online për ndeshje me Kosovën, transmeton Express.

Çekia e pret Kosovën në Pilsen në një ndeshje që vlerësohet të jetë finale e Grupit A kualifikues, duke e ditur se këto dy kombëtare janë në luftë të drejtpërdrejt për pozitën e dytë në grup – të fundit që dërgon në Kampionatin Evropian të vitit 2020.

Kombëtarja çeke e ka një pikë më shumë se verdhekaltrit dhe fitorja eventuale do ta dërgonte në Euro, ndërkohë që Kosovës i duhet fitorja patjetër për të mbetur në garë për kualifikim dy xhiro para fundit. /FaktePlus