Aktuale

Fëmijët e larguar nga Tirana dhe Durrësi nisin mësimin në qytetet e tjera

Disa prej fëmijëve që janë larguar nga Tirana dhe Durrësi për shkak të tërmetit kanë nisur mësimin në shkollat e qyteteve ku po qëndrojnë. Në Gjirokastër 7 fëmijë janë ulur në bankat e shkollës së qytetit ndërsa në Velipojë kanë zgjedhur të mos shkëputen nga mësimi 8 nxënës.

Erindi i është larguar Tiranës pas tërmetit të nëntorit.

Qetësinë e ka rigjetur tek gjyshja në Gjirokastër. Nuk dëshiron të humbasë asnjë orë mësimi ndaj ka vendosur të frekuentojë shkollën artistike të qytetit përgjatë kësaj jave.

Studion disa instrumente muzikore ndërsa thotë se me mjedisin e ri është përshtatur shumë shpejt.

“Në shkollë u përshtata me nxënësit e rinj, kisha pak emocione, por shumë mirë kalova dhe them që këtë javë të vazhdoj këtu, duke studiuar kitarë, piano dhe violinë”

Janë 7 fëmijë, 3 nga Tirana dhe 4 të tjerë nga Durrësi të cilët janë ulur në bankat e shkollës së qytetit të gurtë.

“Jemi të gatshëm ti ofrojmë asistencën tonë, punën tonë sepse ky është misioni ynë”

Në Velipojë 8 nga 16 fëmijët e zonave të prekura nga tërmeti që janë strehuar në këtë qytet kanë zgjedhur të mos shkëputen nga procesi mësimor dhe ta vazhdojnë atë pranë shkollës “Gjergj Vat Martini”.

“Kemi pasur frikë, të gjithë ishim të tmerruar, por tani ka kaluar”

Prindërit thonë se tërmetet e njëpasnjëshme kanë ndikuar jo pak në gjendjen psikologjike të të vegjëlve të tyre.

Të hënën mësimi nisi normalisht në 9 qarqe të vendit përveç Tiranës, Durrësit dhe Lezhës. Në Elbasan nxënësit thanë se mësuesit janë kujdesur t`i këshillojnë se si duhet të veprojnë në rast tërmeti.

“Mësuesit na thanë që mos të shqetësoheshim për tërmetin, sepse ishin gjëra që do kalonin dhe vazhduam mësimin normalisht”

Në të gjitha shkollat e Durrësit dhe Lezhës mësimi do të rinisë më datë 9 dhjetor, ndërsa në Tiranë u vendos që të rifillojë më datë 5 dhjetor,  pasi Ministria e Arsimit të inspektojë dhe të vlerësojë dëmet në të gjitha shkollat.

the authorGazetaKNN