Sport

Ferizaji me stadium futbolli 10 milionë eurosh

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Ferizaj, në vlerë rreth 10 milionë euro.

Të dy nënshkruesit vlerësuan se ky është njëri nga investimet më të mëdha që bëhen në Ferizaj e rrethinë viteve të fundit, si dhe paraqet mbështetje të drejtpërdrejtë për zhvillimin dhe masivizimin e sportit.

Kryetari Svarqa e vlerësoi projektin si tejet të rëndësishëm për komunën e Ferizajt dhe për infrastrukturën sportive në përgjithësi. Ndërsa ministri Shala tha se veç investimit, me rëndësi të dorës së parë është partneriteti i mirë me komunën e Ferizajt.

Projekti i ndërtimit të stadiumit, sipas memorandumit të nënshkruar, pritet të realizohet që nga sivjet e deri në vitin 2021. Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit obligohet të investojë 8 milionë e 30 mijë euro, të marrë pjesë në mbikëqyrjen e kontratës dhe të kujdeset për zbatimin e projektit, së bashku me komunën e Ferizajt.

Kurse komuna e Ferizajt obligohet që të investojë 1 milion e 300 mijë euro deri në përfundim të projektit, të menaxhojë dhe zhvillojë procedurat për zbatimin e memorandumit.

Stadiumi i qytetit në Ferizaj është planifikuar të ndërtohet afër palestrës “Bill Clinton” dhe do t’i plotësojë kriteret e federatës evropiane dhe asaj botërore të futbollit.Ministri Shala e vizitoi edhe hapësirën ku do të ndërtohet stadiumi i ri.