Sport

Feronikeli u provokua në Uells, flamuri serb në tribunat e stadiumit

Feronikeli e bëri dje në rikthim sensacional duke e barazuar rezultatin në 2:2 ndaj The New Saints në ndeshjen e parë mes tyre në rrethin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve. Megjithatë, sot vëmendjen e mori një foto ku shihej se në stadiumin uellsian ishte ngritur një flamur serb.

Kampioni i Kosovës luajti dje në stadiumin Park Hall në Uells, mirëpo atje u prit jo vetëm nga tifozët britanik por edhe nga një flamur serb, i cili ishte vendosur në tribunat e stadiumit, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, ky flamur nuk arriti t’i shpërqendrojë lojtarët e Feronikelit, të cilët arritën ta përmbysin rezultatin në 2:2 dhe ta marrin një rezultat të mirë për ndeshjen kthyese, duke i rritur shpresat për kualifikimin në rundin tjetër.

Feronikeli po humbiste 2:0 nga TNS deri në minutën e fundit të kohës së rregullt të ndeshjes pas golave nga Greg Draper dhe Aeron Edwards, por dy gola të vonshëm por të shpejtë nga Mevlan Zeka dhe Astrit Fazliu e kompletuan rikthimin sensacional të Niklit të martën.

Barazimi 2:2 në një garë të këtij karakteri është shumë i favorshëm për Niklin, pasi çfarëdo barazimi më me pak se dy gola e dërgon skuadrën nga Drenasi në rundin e dytë kualifikues në tentim për ta siguruar pjesëmarrjen në edicionin 2019/20 të Ligës së Kampionëve.

Feronikeli e pret TNS-në në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë pas një jave, dhe ka gjasa të mira të kalojë në rundin e dytë kualifikues. Niklit i kryen punë fitorja me çfarëdo rezultati por edhe një barazim pa gola ose të paktën 1:1. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli