Arsim & Kulturë

Fillon edicioni i dytë i Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019

Në ambientet moderne të Kolegjit AAB, ka filluar edicioni i dytë i panairit të librit AAB 2019, i cili ka filluar sot me datë 09 tetor dhe do të vazhdojë deri më datë 12 tetor.

Në edicionin e dytë të Panairit Vjeshtor të Librit, shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e vende të tjera do kenë mundësinë të ekspozojnë botimet e tyre para dashamirësve të librit në ambientet e Kolegjit AAB.

Hapjen e Panairit të Librit e bëri Prorektori për Kërkim Shkencor, Hasan Saliu, i cili tha që panairi i librit në Kolegjin AAB është bërë i përvitshëm, pasi që ka për qëllim të bëjë bashkë botuesin me lexuesin.

“Themi me lexuesin, sepse ne këtu në AAB kemi një qytet të tërë lexuesish, rreth 20 mijë studentë, pra lexues të rinj në moshë, por lexues profesioni, sepse obligimi kryesor i studentit është leximi”, u shpreh prorektori Saliu.

“E veçanta tjetër e këtij panairi është se ne këtu bëjmë bashkë gjithashtu librin shkencor dhe librin letrar. Libri shkencor tashmë është në krizë mbase kështu ka qenë gjithmonë, sepse lexohet nga një numër pak më i kufizuar dhe i profilizuar njerëzish. Për këtë arsye shtëpia botuese e AAB-së në këtë panair do të promovojë 3 libra shkencor të botuara javëve të fundit, krahas 7 promovimeve të tjera të botuesve të tjerë”, shtoi prorektori për kërkim shkencor, Hasan Saliu.

Për t’a përshëndetur panairin e librit, e pranishme ishte edhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, e cila shtoi se këso aktivitetesh janë të një rëndësie të veçantë të cilat pasurojnë edhe më shumë jetën kulturore.

“Kultura dhe arsimi siç e dimë gjithë janë dy shtylla shumë të rëndësishme për zhvillimin e një shoqërie andaj dhe mendoj që janë të lëna pak anash nga institucionet andaj organizimi i panairit të librit në një ambient universitar mendoj që është një gërshetim shumë i mirë, është një aktivitet shumë i nevojshëm dhe shumë i mirëseardhur”, tha drejtoresha Blerta Basholli.

Arbër Rrahmani, nga shoqata e botuesve të Kosovës, përgëzoi Kolegjin AAB për këtë aktivitet të rëndësishëm, dhe shtoi se organizime të tilla janë për të mirën e studentëve dhe shoqërisë sonë.

Festa e librit në Kolegjin AAB, u përcjell me një program të shkurtër artistik nga pianistja Elizabetë Qarri dhe sopranoja Arta Jashari. /GazetaKNN/