Arsim & Kulturë

Flaka Vitaku zgjedhet kryetare e Unionit të Studentëve të Kolegjit AAB

Pas përfundimit me sukses të procesit zgjedhor për Unionin e Studentëve të Kolegjit AAB, është zgjedhur edhe kryesia e re e Unionit, për mandatin e ardhshëm dyvjeçar.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, prof.dr.Lulzim Tafa priti në takim përfaqësuesit e rinj të Unionit të Studentëve të AAB-së, ku u diskutua për aktivitetet dhe synimet e kësaj organizate studentore.

Rektori Tafa, fillimisht përgëzoi përfaqësuesit e rinj të kryesisë së Unionit të Studentëve për procesin e rregullt të zgjedhjeve brenda Kolegjit AAB dhe i uroi ata për zgjedhjen e tyre në krye të këtij Unioni.

“Organizata studentore në AAB është shumë e rëndësishme. Ne do të bëjmë përpjekje që t’jua krijojmë kushtet sa më të mira të punës, andaj edhe shpresoj se do t’ia dilni të keni sukses”, tha rektori Tafa.

Ndërsa, kryetarja e zgjedhur e Unionit të të Studentëve të Kolegjit AAB, Flaka Vitaku, në fjalën e saj e falënderoi Kolegjin AAB për mundësinë si dhe të gjithë studentët që ia besuan këtë përgjegjësi.

“Unë si kryetare e Unionit të Studentëve ndihem shumë e privilegjuar për këtë pozitë që e kam marrë. Falendëroj të gjithë kolegët që ma kanë besuar këtë përgjegjësi. Shpresoj që ky fillim do të jetë një fillim i mbarë, që me angazhimin tonë brenda mandatit dy vjeçar, të kontribuojmë që ne si Kolegj, të ngritemi edhe më shumë dhe të jemi lider në arsimin e lartë ne vend. Kemi shumë vullnet, projekte, ide dhe shumë mundësi të mira, të cilat po na i ofron Kolegji AAB. Ju falënderoj që na keni dhënë këtë mundësi që fjala e jonë të dëgjohet dhe që të kemi hapësirë të veprojmë në çfarëdo fushe për të arritur diçka në të ardhmen”, tha kryetarja e sapozgjedhur e Unionit të Studentëve të Kolegjit AAB, Flaka Vitaku.

Unioni i Studentëve të Kolegjit AAB do të ketë 22 përfaqësues, ndërsa në kryesinë e re të kësaj organizate studentore, krahas kryetares Flaka Vitaku, studente e Fakultetit të Gjuhës Angleze, janë zgjedhur edhe Leomir Binaku, nënkryetar, student i Fakultetit Juridik; Roni Zhubi, nga dega e Gjakovës, student i Fakultetit të Administratës Publike dhe Agnesa Murtezi, nga dega e Ferizajt, studente e Fakultetit Ekonomik.

Kujtojmë se vet procesi zgjedhor i zgjedhjeve për Unionin e Studentëve të Kolegjit AAB ishte inovacion në vete, sepse për herë të parë zgjedhjet janë mbajtur me votim online, ku janë përfshirë të gjithë studentët aktivë të Kolegjit AAB.