Aktuale

Flet Agim Bahtiri pas rrënimit të ndërtesës 11-katëshe pa leje

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mbajtur premtimin e bërë publik një ditë më parë për fillimin e rrënimit të objekteve pa leje të Komunës.

Bahtiri, bashkë me bashkëpunëtorët e ngushtë dhe inspektorët komunal, ishin në vendin e ngjarjes kur kompania në fjalë filloi rrënimin e objektit.

Para se të filloi rrënimi i objektit të pronarit Fidan Muharremi, Bahtiri pati një bisedë me pronarin dhe një të afërm të tij. Ata kërkonin nga kryetari Bahtiri që të shtyj rrënimin e objektit, duke dhënë arsyetimi të ndryshme, të cilat nuk ishin bindëse për kreun e Komunës.

Bahtiri tha atyre se vendimi nuk mund të shtyhet dhe se është shumë i vendosur që në Mitrovicë të zbatohet me konsekuencë ligji edhe në fushën e ndërtimeve.

“Ju nuk keni lejet përkatëse për punë. Pastaj ju keni shkel ligjin dhe keni bërë vepër penale disa herë, duke injorua me kryeneçësi vendimet e inspektorëve për ndërprerjen e punëve dhe duke vazhduar ndërtimin pa leje. Prandaj, na keni detyruar që të ndërmarrim hapa ligjor që po i kërkojnë dhe presin qytetarët për të mos lejuar kaos dhe jo ligjshmëri në qytet. Do të vazhdojmë me rrënimin edhe të objekteve tjera të ndërtuara pa leje në Komunën e Mitrovicës”, tha Bahtiri.

Po ashtu, Bahtiri ju tha pronarëve të objektit që filloi të rrënohet, se ai do të respektoj çdo vendim të organeve gjyqësore dhe nëse këto organe sjellin vendim që ju keni të drejtë, Komuna do të ju kompensoj në tërësi dëmin e shkaktuar.

Përveç se objekti ka filluar të ndërtohet pa leje, pronari i tij, ka injorua mbi pesë herë kërkesën e inspektorëve, përkatësisht vendimin e tyre për të mos vazhduar ndërtimin pa leje.

Në të gjitha këto raste, inspektorët komunal, bashkë më policinë e Kosovës, kanë konservua objektin, përkatësisht i kanë vendos shiritin për të mos vazhduar punën, por pronarët asnjëherë nuk i kanë përfillur këto kërkesa dhe vendime, që do të thotë se edhe pse kanë ditur se po bëjnë shkelje ligjore, kanë vazhduar punën.

Aksionin për rrënimin e objektit e kanë përcjell forca të shumta policore, por fatmirësisht nuk ka ndodhur asnjë incident. Interesimi i qytetarëve për këtë aksion ishte mjaft i madhe dhe është mirëpritur.

Ndryshe, sot në ora 10:00, Kompania e kontraktuar nga Komuna. “Lirigzoni”, ka filluar rrënimin e objektit të parë banesor pa leje, P+11, afër Shkollës fillore “Bedri Gjinaj”, përballë kishës ortodokse serbe, në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë. /Indeksonline/

the authorE B