Rajon & Botë

Florida rikthen të drejtën e votës për ish të dënuarit

Një numër prej 1 milion e 200 mijë personave të cilët kanë qenë të dënuar në peridha të ndryshme, kanë fituar të drejtën e votës, duke iu falenderuar kalimit të një amandamenti të kushtetutës shtetërore. Ky amandament kaloi me mbështetjen e 65% të votave, duke ndryshuar një rregull që vlente tash e 150 vjet në kushtetutën e shtetit.
Para këtij votimi, Florida ishte në mesin e vetëm katër shteteve të Shteteve të Bashkuara që në mënyrë automatike ua hiqte të drejtën e votës personave të cilët kishin kryer ndonjë krim që është i dënueshëm me një vit apo më tepër burgim.

Për ta gëzuar të drejtën e votës, ish të burgosurit duhet ta kenë përfunduar plotësisht dënimin dhe t’i kenë zbatuar të gjitha rregullat e lirimit të tyre, përfshirë edhe plotësimin e periudhës për mospërsëritje të veprave penale. Përveç kësaj, amandamenti i përjashton personat e dënuar për vrasje dhe dhunë seksuale.

Mbështetësit e këtij amandamenti për muaj të tërë kishin deklaruar se ndalimi i së drejtës për votim për ish të burgosurit paraqet padrejtësi ndaj personave të cilët tashmë ia kishin kthyer borxhin shoqërisë dhe kjo ndalesë e pengon ripërfshirjen e tyre në shoqëri.

Ata poashtu besonin se ky rregull i përjashtonte në mënyrë të pabarabartë personat me prejardhje afrikane. Amandamenti ishte bërë pjesë e kushtetutës para 150 vitesh me qëllim të parandalimit të njerëzve me ngjyrë për të votuar, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.