“Fluturoi dhe shtërg i fundit”…

Shkruan: Agim Vinca

Fluturoj dhe shtërg i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë/ Dyke ikur që-me-natë sipër malesh me dëborë”…

          Këto vargje të Lasgush Poradecit ishin nga vargjet më të dashura të Dritëroit, të cilat ai i deklamonte shpesh në ndeja me miq dhe në paraqitjet e tij të shumta publike.

Nuk ka vargje që e karakterizojnë më mirë figurën e Dritëro Agollit si njeri e krijues dhe ikjen nga kjo botë të këtij shtërgu të madh të poezisë shqipe.

Lajmi për vdekjen e Dritëro Agollit jehoi thekshëm në Kosovë. Edhe pse gjendja e tij shëndetësore qe rënduar në kohë të fundit, ky lajm shkaktoi pikëllim të madh. E si të mos shkaktonte kur ai është autor i vargjeve të cilat, duke zhveshur demagogjinë e politikanëve që premtojnë ta bëjnë parajsë Shqipërinë, lartësojnë ëndrrën e madhe të bashkimit kombëtar, të Shqipërisë këndej e andej Drinit, siç e kishte zakon të thoshte Dritëroi ynë: “Çdo sundimtar kur turmën mban me shpresë/ Parajsë e bën ndër sheshe Shqipërinë,/ Ndërsa parajsa s’ndahet në dy pjesë/ Siç ndahet Shqipëria shamizezë”.

Dritëro “e pamja” për ty, si thuhet në Kosovë për “kyeshëndoshin”, është hapur edhe në Prishtinë dhe në qytetet (dhe fshatrat) e tjera të Kosovës. Ne i shprehim ngushëllime njëri-tjetrit për ty. Miku mikut, kolegu kolegut, studentët profesorit.

Shkruajnë e flasin për ty të gjitha mediat e flitet për ty edhe në familje. Kujtohen vargje, poezi, tregime, romane, vepra, ngjarje… Poçari që digjet nga malli për gjuhën shqipe dhe poeti që ligjëron: “në raft të librave kërkomë” hyjnë e dalin në çdo shtëpi, mes njerëzve që flasin shqip.

Cili është portreti i poetit, sipas Dritëro Agollit? Çka e karakterizon botën e tij? Përgjigjen më të mirë kësaj pyetjeje e ka dhënë në një poezi për fëmijë, sepse i madhi Dritëro shkroi edhe për të vegjlit.

Poezia është një mister, kurse poeti – një njeri i çuditshëm. Në poezinë Sa i çuditshëm! portretizohet në mënyrë inventive figura e poetit dhe bota e tij shpirtërore. Poeti, sipas Dritëro Agollit, shembëllen me një fëmijë, që i ka qejf “përrallat dhe rrëfimet”, që çuditet me “dëborën dhe blerimet” dhe mahnitet me fenomenet dhe bukuritë e natyrës.Qëndron përpara fletëve të pemës/ I krahason me vargjet e poemës./ Vrapon në breg ku valë e detit ndal/ Dhe valës për habi i thotë mal./ E ndjek me sy kur fluturon një flutur, /         Përpjek shuplakat: “Qenka shumë e bukur!”/.

Por poet, sipas tij, është mbi të gjitha njeriu që kërkon fjalën me pasion dhe gëzohet si fëmijë kur e gjen atë: Vrapon pas fjalës shumë të vështirë,/    E kap si peshk dhe qesh se i vjen mirë./ Dhe hidhet me një këmbë në parket,/ Tamam si ju, “e gjeta” zë thërret!.

Te poema e madhe Nënë Shqipëri!, e quajtur Bagëti e Bujqësi e kohës sonë, poezia krahasohet – jo me Pegasin antik, por me mushkën xanxare, përplot huqe, e cila po s’dite ta ngasësh të hedh nga shpina e të gjuan me shkelma. Kështu shkruante poeti që, po të mund të zgjidhte midis kafshëve, do të donte të ishte kalë! Askush ndër ne nuk këndoi më bukur se ai për këtë kafshë fisnike.

Vetë njeriu është një qenie e çuditshme, komplekse, enigmatike; engjëll e djall, Judë e Krisht, djall dhe shenjtor njëkohësisht.

Në një libër kushtuar poetit devollit, të shkruar nga miku i tij, poeti Moikom Zeqo, Dritëro Agolli quhet me të drejtë “lirik i tokës, demon i fjalës”.

Një nga librat e shumtë me poezi të Dritëroit titullohet: Vjen njeriu i çuditshëm (1996). Tani ne mund të themi, duke e parafrazuar këtë titull: Iku poeti i çuditshëm! Poeti që e “zotëronte artin e vështirë të të bërit vargje të lehta”; që “e donte tokën si bujk, e gjakonte pyllin si ujk dhe e kërkonte fjalën si murg”.

Dritëro, ti ike; ike duke lënë pas veprën tënde të madhe, shpirtin tënd të pavdekshëm. Sado koskë e fortë që ishe, vdekja, për të cilën këndove gjatë tërë jetës, mu pse e doje aq shumë jetën, të mposhti më në fund. Përkohësisht.

Shkove te Naimi, ati ynë, “Omiri ynë”, te Çajupi, Noli, Lasgushi, Mjeda, Migjeni…, që i deshe aq shumë dhe që i kishe model në jetë e në krijimtari. Edhe te “shpirti i gjyshërve”, me të cilin ishe i mishëruar aq shumë.

Pse jo edhe tek Bërnsi, Pushkini, Majakovski, Esenini, Bagricki, Elyari, Trakli…, të cilët i bëre të flisnin shqip.

Do t’i takosh patjetër atje edhe miqtë e tu, poetët kosovarë: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti…. Edhe shumë të tjerë nga të dy anët e Drinit, Vjosës, Devollit, Shkumbinit, në të vërtetë Akerontit.

Dritëro, pusho i qetë! Ti je në shoqëri më të mirë se ne.

 

Prishtinë, 4 shkurt 2017