Aktuale

Fondi Pensional i kosovarëve në Serbi, në “agjendë” të bisedimeve në Bruksel

Fondi Pensional i Kosovës vazhdon të mbetet “peng”, nga Serbia për pensionet e kosovarëve që nga paslufta.

Çështja e këtij fondi , sikurse edhe çështja të tjera, ka mbetur ende e pazgjidhur dhe asnjëherë deri më tani nuk është përfshirë në dialog që po zhvillohet në Bruksel në mes të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, shkruan arbresh.info.

Përfaqësuesit e pensionistëve thonë se asnjëherë nuk do të heqin dorë nga këto pensione, por shtojnë se nuk e dinë as vet se kur kjo gjë do të realizohet.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi thotë për arbresh.info se lidhur me çështjen e Fondit Pensional në Serbi, u janë drejtuar të gjitha organeve evropiane, duke përfshirë edhe Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg.
Kajtazi thotë se presin se kjo çështje të përfshihet në agjendën e dialogut në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pritet që çështja e pensioneve të shtrohet në agjendën në mes të dy shteteve. Edita Tahiri pesë herë është përpjek me e fut në agjendë këtë çështje po faktori ndërkombëtar ka zgjedhur çështjet politike dhe këtë e ka lënë anash. Në nuk heqim dorë nga këto pensione, por se kur ato do të realizohen unë nuk besoj se në moshën time e pres ngase Serbia po gjen arsye që me shty deri sa të ulen në tavolinë të dyja shtetet”, ka thënë ai.

I pyetur se a kanë biseduar me qeverinë e re për këtë çështje, Kajtazi ka thënë se problem të parë e kanë rritjen e pensioneve për vitin 2018, pasi që sipas tij ministri i Financave Bedri Hamza ka thënë se nuk do të ketë rritje të pensioneve.

Sipas tij pensionistët po vazhdojnë të kenë probleme brenda shtetit të tyre e le më me Serbinë.

“Me qeverinë e re ne po bisedojmë për rritje të pensioneve ngase me buxhetin për 2018 ministri i financave ka dal me një deklaratë që nuk ka rritje të pensioneve. Ne kemi qenë vet të kryeministri Ramush Haradinaj, i kemi shkruar letër edhe ministrit të Financave që nuk janë paret e tij dhe këta pensionistë e kanë kontributin e vet sepse ky objekt i qeverisë edhe parlamenti është djersa e këtyre pensioneve , pra ne kemi problem edhe këtu brenda në shtet e le më me Serbinë që na ka vra e na ka bërë gjenocid. Ne nuk kemi biseduar me këtë qeveri sepse që dy muaj kemi probleme me rritje të pensi0oneve dhe ai është problem tjetër që duhet me trajtu”, ka thënë ai.

Arbresh.info ka pyetur edhe qeverinë Haradinaj se si parasheh ta zgjidh çështjen e Fondit Pensional në Serbi, mirëpo përgjigja e tyre ishte që për këtë t’i drejtohemi Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Ju lutem që këto pyetje t’i adresoni tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë në përgjigjen dërguar portalit.

Mirëpo pavarësisht kësaj, edhe pse në Qeveri nuk janë përgjigjur, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në takimin që kishte më 11 të këtij muaji më Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari biseduan edhe për këtë çështje.

Avokati i Popullit e informoi Kryeministrin lidhur me procesimin rreth Fondit të Pensioneve të Kosovës të bartur në Serbi, që paraqet shkelje të të drejtave dhe dinjitetit të pensionistëve si lëndë e Gjykatës së Strasburgut.

Pas kësaj arbresh.info ka kërkuar përgjigje edhe në Zyrën e Avokatit të Popullit se a po u shkelën të drejtat e njeriut këtyre pensionistëve.

Zëdhënësja e Avokatit të Popullit Majlindë Sinani-Lulaj ka thënë se ky i fundit në fillim të vitit 2016 i ka dërguar një opinion Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës pikërisht për këtë çështje.

“Avokati i Popullit në fillim të vitit 2016 ka dërguar një opinion Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, nëpërmes të cilit ka kërkuar që të merren masa në zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në rastin Grudić kundër Serbisë”, ka thënë ajo.

Sinani-Lulaj ka thënë se Sigurimi Pensional dhe Invalidor i Serbisë (SPDIF) në vitin 1999 ka ndërprerë pagesën e pensioneve për qytetarët e Republikës së Kosovës në mënyrë arbitrare, dhe për këtë sipas saj Avokati i Popullit ka konsideruar se në këtë rast ka shkelje të se drejtës pronësore të Pensionistëve.

“Avokati i Popullit duke u mbështetur në aktgjykimin e GJEDNJ-së në rastin Grudić kundër Serbisë konsideron se ka shkelje të së drejtës pronësore të pensionistëve, në kuptim të Nenit 1 , të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në bazë të praktikës së GJEDNJ sipas të cilës edhe pensionet paraqesin pronësi”, ka thënë ajo.

Arbresh.info, ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por në këtë dikaster për disa ditë nuk kanë kthyer përgjigje.

Sipas Shoqatës së Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore është marrë Fondi Pensional nga ana e Serbisë, numri i pensionistëve ishte llogaritur të jetë më shumë se 89 mijë.

Ndërkaq, aktualisht llogariten se janë mbi 50 mijë pensionistë, të cilët presin realizimin e të drejtës së tyre për kompensim.

Thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës, i cili është marrë nga Serbia, arrin vlerën deri në dy miliardë euro./arbresh.info/