Rajon & Botë

Francë, gjendje emergjence deri në janar 2017

Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar zgjatjen e gjendjes së emergjencës edhe për 6 muaj të tjerë.

Lëvizja vjen pas sulmit vdekjeprurës të javës së kaluar në Francë, gjatë të cilit humbën jetën 84 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, kur një terrorist drejtoi kamionin e marrë me qira drejt turmës së njerëzve, mes të cilëve edhe shumë fëmijë, që po festonin Ditën e Bastijës.

Gjendja e emergjencës në Francë është futur në fuqi që pas sulmeve terroriste në Paris gjatë nëntorit të vitit të kaluar, kur mbetën të vdekur 130 persona.

Kryeministri francez, Manuel Valls tha se Franca duhet të jetë e përgatitur të presë të tjera sulme terroriste, pavarësisht masave parandaluese të ndërmarra nga qeveria e drejtuar prej tij.

“E di që këto fjalë janë shumë të rënda për t’u thënë, por është detyra ime t’iu paralajmëroj – tha ai. – Do të ketë të tjera sulme terroriste dhe mund të ketë të tjerë viktima të pafajshme. Ne nuk duhet të mësohemi kurrë me terrorin e ta konsiderojmë atë të zakonshëm, por duhet të mësohemi të jetojmë me një kërcënim të tillë”, tha Valls.

Zgjatja e rakorduar në orët e para të së mërkurës nënkupton që gjendja e emergjencës në Francë do të vijojë deri në janar të vitit 2017. Kjo është e katërta shtyrje e propozuar nga Parlamenti francez, ndërkohë që pret të miratohet edhe nga Senati.