Aktuale

Gabriel: Gjermania do të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA

Shefi i diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel ka thënë se është absolutisht i domosdoshëm vazhdimi i bashkëpunimit të inteligjencës me SHBA pas pohimeve se presidenti amerikan Donald Trump iu ka zbuluar zyrtarëve rusë të dhëna të besueshme të inteligjencës.

Gabriel pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson në Uashington tha se bashkëpunimi i inteligjencës ndërmjet dy shteteve nuk ishte temë e bisedimeve të tyre, transmetojnë të enjten mediat botërore.

I pyetur nëse Gjermania mund të ketë ende besim në SHBA kur bëhet fjalë për ndarjen e informatave të inteligjencës, diplomati gjerman tha se ndërmjet dy shteteve ekziston bashkëpunim i fuqishëm i inteligjencës dhe se kjo është absolutisht e domosdoshme për sigurinë e Gjermanisë.

“Jam i sigurt se do të vazhdojmë bashkëpunimin”, tha ai.

Mediat kanë shkruar se Trump javën e kaluar në takim me ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergej Lavrov dhe ambasadorin rus në SHBA Sergej Kislak ka zbuluar informacione të besueshme të inteligjencës për Shtetin Islamik, të cilat janë marrë nën kushte të caktuara nga Izraeli.