Aktuale

Gashi: Haradinaj do të jetë kryeministër i ardhshëm

Optimist se kryeministër i vendit do të jetë Ramush Haradinaj, është kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili është i bindur se lideri i AAK-së Ramush Haradinaj do të arrijë t’i ketë votat e deputetëve.

Gashi ka thënë në një intervistë për KosovaPress se beson në vizionin e kandidatit për kryeministër, i nominuar nga PAN, Ramush Haradinaj, për të cilin beson se do të jetë prijësi i duhur për proceset në Kosovë.

“Po, shpresoj se po. Unë shpresoj dhe besoj në vizionin e zotit Haradinaj që do të jetë një kryeministër i ardhshëm dhe do t’i shtynë proceset përpara. 18’ 56” Kemi shpresë dhe shpresojmë që sa më shpejt të formohen institucionet e shtetit”, ka thënë ai.

Sa i përket vendimit të AAK-së për tu bërë pjesë e koalicionit me PDK dhe NISMA për Kosovën, Gashi nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë duke thënë nuk është pjesë e negocimit të marrëveshjeve për shkak të angazhimeve të shumta që ka si Kryetar i Komunës së Obiliqit.

“Realisht unë nuk i kam kundërshtuar. Tanimë nuk jam prapë pjesë e negocimit të marrëveshjeve të cilat do të ndodhin atje. Është e vërtet, jam anëtar i kryesisë, por me keqardhje e them që shumë pak jam aktiv në këtë drejtim sepse nuk po arrijë për shkak të angazhimeve të shumta që i kemi në Komunë. Por, mbi të gjitha unë kam kërkuar mirëkuptim nga Kryesia për arsye sepse niveli lokal dhe qendror janë dy qeverisje të ndryshme”, u shpreh Gashi.

Më tej, ai shtoi se gjatë mandatit si Kryetar i Komunës së Obiliqit, ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet, pavarësisht se cili subjekt politik ka udhëhequr me to.

“Unë mendoj që ne mirë e kemi mbajt sa i përket aktiviteteve komunale, jemi munduar që të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet cilat do qofshin ato që kanë qenë në pozicione të ndryshme për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve”, tha ai për KosovaPress.

I pyetur nëse do të dilte më mirë në zgjedhjet e përgjithshme Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëse do të garonte e vetme, Gashi tha se nuk dëshiron të flet në këtë drejtim meqenëse nuk ka qenë pjesë e procesit. Mirëpo theksoi edhe njëherë se fituesi i parë duhet të jetë ai që do ta ketë mundësinë e krijimit të Qeverisë.

Kryetari Gashi, duket të jetë i vendosur t’i qëndroj besnik komunës së Obiliqit, pasi që tha se nuk do të linte punën e kryetarit të komunës për ndonjë post ministror.

Madje ai tha se në të ardhmen mendon t’i përkushtohet botës së biznesit.

“Jo, unë vij nga biznesi. Me dëshirë do të isha kthyer aty ku kam qenë. Të jem edhe më pranë biznesit tim, pranë familjes dhe të kryej aktivitetet. Nuk kam ardhur në Komunë që të bëjë karrierë politike. Nuk jam njeri i politikës, jam më shumë njeri i pjesës operative dhe nuk e shoh veten në të ardhmen në politikë”, tha ai.

Xhafer Gashi është zgjedhur kryetar i Komunës së Obiliqit, në zgjedhjet komunale që janë mbajtur në nëntor të vitit 2013.

the authorE B