Aktuale

Gazeta greke: Muhaxheri kishte 20 truproja personale

Terroristi shqiptar nga Kosova i ISIS-it, Lavdrim Muhaxheri, u vra javë më parë në Siri. U raportua se ai u vra nga një sulm ajror amerikan, por nuk u dhanë shumë detaje.

Tani një media greke raporton se ‘Kasapi i Kaçanikut’ u vra nga një sulm ajror i forcave speciale ruse, në bashkëpunim me forcat qeveritare siriane.

Gazeta greke ‘Pro News’, shkruan se Lavdrim Muhaxheri, i njohur në Lindjen e Mesme si “Ebu Abdullah al Kosova”, komandant i ISIS-it, i cili u bë më “i famshëm” se imazhet e vitit 2014, me prerjen e kokave të krishterëve, shiitëve dhe alavitëve, është ekzekutuar nga një aksion i forcave speciale ruse në bashkëpunim me forcat speciale ajrore siriane, dy muaj pas kthimit në Siri, pas rreth katër muaj qëndrimi në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Tutje kjo gazetë shkruan se në operacionin e forcave ajrore ruse dhe njësitit sirian ‘Tigër’, përveç Muhaxherit, në Idlib, u vranë edhe gjashtë nga njëzet truproajt e tij personale.

Terroristi Muhaxheri sipas kësaj gazete, ishte nën përcjelljen ruse sapo u kthye nga Lindja e Mesme në Ballkan, nga ku filloi lëvizjet në Kosovë, Shqipëri dhe në rajonin e Tetovës në Maqedoni, për të mbledhur luftëtarë dhe armë, përcjellë Gazeta Metro.

‘Kasapi’ nga Kaçaniku, fillimisht thuhet se u zbulua nga shërbimet inteligjente ruse dhe serbe se ndodhej në qytetin e tij të lindjes në Kaçanik, por ai nuk u arrit të kapej pasi u arratis sërish në Siri.

Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2014 e kishte përfshirë Muhaxherin në listën e terroristëve.