Aktuale

Gecaj – Bajramit: Mos e përfshini BE-në në gënjeshtrat tuaja

Këshilltari i kryeministrit, Bajram Gecaj, është shprehur se deklarata e deputetes së “Nismës për Kosovën” se Qeveria ka kërkuar demarkacionin si kusht për vizat, është një gënjeshtër e radhës e opozitës.

Zyrtari i LDK-së tha për Gazetën Express se ky është një kusht i vendosur nga Bashkimi Evropian (BE), por edhe sikur të dëshironte Qeveria e Kosovës ta vendoste si kusht nuk do të kishte mundësi për arsyen se nuk ka fuqi politike sa të ndikojë në 28 shtete të BE-së.

“Kjo është një gënjeshtër e kulluar e opozitës. Demarkacioni është vendosur si kusht nga Bashkimi Evropian dhe nëse do të kishte mundësi Kosova të ndikonte në 28 shtete të BE-së, atëherë Kosova do të ishte me kohë pjesë e saj”, tha Gecaj.

Ndërkaq, në mbledhjen e Komisionit për Stabilizim dhe Asocim, anëtarja e “Nismës për Kosovën”, Valdete Bajrami, ka thënë se në takimin e zhvilluar në Bruksel me ish-raportuesen e Kosovës në BE, Ulrike Lunacek, kjo e fundit ka deklaruar në takim se demarkacioni për liberalizimin e vizave është kërkuar si kriter nga Qeveria e Kosovës.