Aktuale

Gjashtë komuna përfitojnë nga Banka Botërore grante në shëndetësi

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Bankën Botërore nënshkruan marrëveshjen për fillimin e implementimit të Pagesës sipas Performancës për kokë banori në Kujdesin Parësor Shëndetësor në gjashtë komuna të cilat janë përzgjedhur për të qenë pjesë e pilotimit të këtij programi për vitin e parë (2017).

Komunat të cilat janë pjesë e kësaj marrëveshje janë Prishtina, Prizreni, Suhareka, Rahoveci, Malisheva dhe Dragashi.

Me këtë rast ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje me Bankën Botërore do ta fuqizojë kujdesin parësor shëndetësor.

“Një nga komponentët është edhe fuqizimi i kujdesit parësor shëndetësor dhe në vazhdën e këtyre aktiviteteve është paraparë që të kemi një marrëveshje mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe komunave të përzgjedhura si pilot projekt fillim, për implementimin e komponentës që është pagesa për kapitacion duke u bazuar në performancë. Kësaj marrëveshje i kanë parapri shumë aktivitete brenda projektit që jemi në koordinim gjithmonë me Bankën Botërore dhe në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave me të cilët kemi nënshkruar marrëveshje për shtyrjen përpara të kësaj komponenteje”, tha Rrahmani.

Ai tha se në projektin e Bankës Botërore fillimisht janë paraparë katër komuna, Prishtina, Prizreni, Malisheva dhe Dragashi dhe si kriter bazë ka qenë sistemi i formimit shëndetësor elektronik funksional, por sipas tij, në mirëkuptim edhe me Ministrinë e Finan cave dhe në koordinim gjithmonë me Bankën Botërore është arritur që këtij numri të katër komunave t’i shtohen edhe dy komuna tjera, Suhareka dhe Rahoveci.

“Këtë vit me ligjin e buxhetit janë të buxhetuara 780 mijë euro, të cilat janë të dedikuara për komponentët që po flasim. Ne kemi përfunduar manualin e indikatorëve që do të duhet që komunat të plotësojnë dhe e kemi diskutuar me përfaqësuesit e komunave dhe janë mirëpritur….Kriter që parashihet të përmbushet nga komunat për me i marrë pagesat shtesë, grantin është që çdo i regjistruar, pacient kryesisht 2.4 euro përfitim, që do të thotë është një motiv shtesë në institucionet shëndetësore gradualisht të fillojnë të regjistrojnë qytetarët për fillimisht për qendrat e mjekësisë familjare dhe më vonë duhet kaluar që çdo qytetar ta ketë mjekun e vet”, tha ai.

Marco Mantovanelli, nga Banka Botërore, tha se kjo marrëveshje ka për qëllim përmirësimin e kujdesit parësor shëndetësor.

“Ne si partner të juaj, si Bankë Botërore jemi shumë të kënaqur që jemi prezent këtu. Pra në vazhdën e këtyre reformave për implementimin e tyre reformave të cilat mendojmë t’i arrijmë dhe qëllimi jonë, i projektit është që me e mbrojtë të varfërit nga shpenzimit më të mëdha, nga pesha e shpenzimeve të mëtutjeshme dhe sidomos me e përmirësuar kujdesin parësor, sidomos në departamentin që ka të bëjë me nënën dhe fëmijën. Në këtë aspekt neve ju falënderojmë shumë sa i përket të arriturave që janë bërë deri tash, pra një pjesë e këtij projekti është pra bartja e grantit deri në nivelin e komunave, kjo paraja që bartet fillimisht nëpër komunat pilote, gjithmonë qëllimi kryesor mbetet përmirësimi i kujdesit parësor dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve”, tha ai.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, tha se përmes kësaj marrëveshje po fuqizohet dhe po përmirësohet kujdesi parësor shëndetësor në këto komuna.

“Kjo përkrahje financiare do të na jep mundësinë që të jemi më pranë pacientëve për mbrojtjen e tyre shëndetësor dhe kontrolli i shërbimit primar shëndetësor në favorin e qytetarëve do të jetë më i avancuar, më i kontrolluar dhe padyshim që do të jetë edhe më i suksesshëm”, tha ai./KP