Aktuale

Gjashtë vjet bisedime, që nuk sollën rezultate

Janë bërë më shumë se 6 vjet prejse ka nisur bisedimet mes palës serbe dhe asaj shqiptare. Shumë prej marrëveshjeve nuk kanë gjetur ende zbatim, ani pse në Bruksel janë nënshkruar 38 të tilla.

Përfaqësues të opozitës po vlerësojnë se nuk mund të vazhdohet me një fazë të re të dialogut pa rishikimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash

I nisur në mars të vitit 2011, dialogu mes Kosovës e Serbisë ende nuk ka përfunduar. Përkundrazi, negociatat për normalizim të raporteve mes këtyre dy shteteve tashmë pritet t’i nënshtrohen të ashtuquajturës “faza përmbyllëse” e këtij procesi.

Ndonëse janë bërë më shumë se 6 vjet prejse ka nisur ky dialog, shumë prej marrëveshjeve nuk kanë gjetur ende zbatim, ani pse në Bruskel janë nënshkruar 38 të tilla.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se procesi në fjalë nuk ka pasur thuajse fare transparencë.

Ata me këtë rast kanë konsideruar se tash e tutje duhet nxjerrë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të përcaktohet afati kohor se deri kur duhet të vazhdojë ky proces.

Nga ana tjetër, përderisa përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” vlerësojnë se nuk mund të vazhdohet me një fazë të re të dialogut pa rishikimin e marrëveshjeve të arritura deri më sot, përfaqësuesit e tjerë të opozitës thonë se deri te një fazë e tillë nuk mund të kalohet pa një konsensus të brendshëm politik.

the authorE B