Rajon & Botë

Gjermani: Tre sulme në vetëm dhjetë ditë

Një 21 vjeçar refugjat nga Siria ka vrarë një grua me hanxhar dhe ka lënduar dy persona tjerë të dielën, para se të arrestohej në qytetin Reutlingen në Gjermani. Sulmi nga siriani ishte i treti në vetëm dhjetë ditë në Gjermani.

Të premten, një 18-vjeçar iraniano-gjerman, qëlloi për vdekje nëntë persona, para se të vriste edhe veten. Nga këta nëntë persona të vrarë, tre ishin shqiptarë nga Kosova.

Ndërsa më 18 korrik, një 17-vjeçar që kërkonte azil u qëllua nga policia pasi lëndoi katër persona, disa nga ta rëndë, pasi i sulmoi me sëpatë në një tren, raporton Reuters.

Pak ditë para sulmeve në Gjermani, një tunizian me kamion hyri në turmën e qytetarëve në Nice të Francës duke mbytur 84 persona.

Për sulmin në Nice dhe në tren, përgjegjësinë e mori Shteti Islamik, ndërsa autoritetet gjermane kanë thënë se sulmuesi në Munih nuk kishte lidhje me ISIS-in.