Rajon & Botë

Gjermania marrëveshje me partnerët e NATO-s për të blerë armatim të ri

Gjermania i ka nënshkruar disa marrëveshje me partnerët e vet në NATO që bashkërisht të blejnë aeroplanë ushtarakë transportues dhe nëndetëse, si dhe të zhvillojnë armë të reja.

Detaje të marrëveshjeve, të siguruara nga Associated Press, tregojnë se Gjermania synon t’i blejë tetë aeroplanë transportues “Airbus A330”, bashkë me Holandën dhe Luksemburgun, nëse Norvegjia dhe Belgjika e nënshkruajnë marrëveshjen, po ashtu, transmeton Express.

Aleatët e NATO-s ka kohë që heqin keq për të gjetur aeroplanë të mjaftueshëm transportues për bartjen e trupave dhe mjeteve luftarake.

Gjermania dhe Norvegjia planifikojnë t’i blejnë së bashku gjashtë nëndetëse dhe t’i zëvendësojnë sistemet e vjetruara raketore.

Berlini po ashtu do të punojë me Francën për të themeluar një njësi të vogël të transportit ajror, me qëllim që t’i përkrahë operacionet speciale dhe t’iu ndihmojë shtetasve gjermanë që janë në telashe jashtë shtetit.

E tërë kjo vjen pasi së fundmi SHBA-ja u ka bërë presion aleatëve të NATO’s që t’i rrisin shpenzimet në mbrojtje./Gazeta Express/