Gjilani qendër e garave ndërkombëtare në matematikë

Komuna e Gjilanit është shndërruar në një qytet të matjes zyrtare të arritjeve të nxënësve në lëndën e matematikës.Pas mbajtjes së maratonës së garave në matematikë disa javë më parë të organizuara nga Drejtoria e Arsimit, sot në Gjilan që nga mëngjesi ka nisur testimin I rreth 800 nxënësve në lëndën e matematikës në kuadër të garave në nivel ndërkombëtar “Kangoro” që po vazhdon të mbahet në shkollën “Selami Hallaqi”.Në fjalën e saj drejtoresha e arsimit Shqipe Kastrati-Haziri, ka thënë se Drejtoria Komunale e Arsimit tashmë është nikoqire edhe e kësaj gare të madhe ndërkombëtare që për herë të parë mbahet në Kosovë dhe atë pikërisht në Gjilan.“Sot garat ndërkombëtare në matematikë “Kangoro”, për herë të parë në Republikën e Kosovës po mbahen këtë vit dhe atë pikërisht në Komunën e Gjilanit. Testimi po bëhet me mbi 800 nxënës, duke përfshirë fëmijët që nga klasat e dyta deri në klasat e dymbëdhjeta.
Nxënësit pjesëmarrës janë nga të gjitha Komunat e Anamoravës, kurse prej tyre janë 450 nxënës të shkollave të Gjilanit. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet duke pas parasysh që sot e njëjta garë mbahet në të njëjtën kohë në gjithë botën dhe me nxënësit e klasave të njejta.
Falë mbështetjes së madhe të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, ne sot së bashku edhe me shkollat kemi organizuar gjithçka që të jetë në rregull dhe me kushte sa më të mira për nxënësit garues”, ka thënë mes tjerash drejtorisha Kastrati-Haziri.Ndryshe në nivel të Komunave edhe përgatitjet janë bërë me kohë dhe të gjithë mbikëqyrësit, testuesit dhe koordinatorët kanë qenë me garuesit e tyre në kohën e precizuar në bazë të programit.Kurse gjatë muajit maj Gjilani është organizator i garave mbarëkombëtare shqiptare, përsëri në lëndën e matematikës.