Aktuale

Gjuriq: Përmendorja e Carit le të jetë vend betimi i serbëve

​Car Llazari me shpatë në brez dhe me gishtin drejtuar nga pjesa tjetër e Kosovës që nga sot do të rrijë në sheshin “Shumadia” në Mitrovicë.

Llazar Hrebljanoviq i vrarë në Gazimestan më 28 qershor të vitit 1389 që serbët e kanë kthyer si të shenjtin e tyre, në Kosovë ka ardhur i praruar në bronz.

Kjo përmendore ide dhe donacion i Qeverisë së Serbisë ka ardhur në Kosovë pikërisht në ditën kur para më shumë se 600 vjetësh u vra Car Llazari nga ushtria osmane e Sulltan Muratit.

Në manifestim u tha se kjo është dhurata më e mirë për nder të ditës së sotme që serbët e festojnë si festa e Vidovdanit.

Qindra prej tyre dëgjuan fjalë të mëdha për Car Llazarin si hero dhe patriot i madh serb. Për të u kënduan edhe këngë dhe u recituan vjersha.

Madje nga folësit u tha se “sot cari ka ardhur të na tregojë ku është Gazimestani, vellëzërit Jugoviq, si dhe luftëtarët serbë të rënë në Kosharen e Kosovës dhe Metohisë”.

Këto fjalë i dëgjuan edhe zëvendëskryeministri i Kosovës ,Branimir Stojan oviq, ministrat Lubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq, si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe.

Mysafiri kryesor i këtij manifestimi ishe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili përveç se u quajt ideator i kësaj ngjarje për serbët “historike”, ai edhe foli gjatë për figurën dhe veprën e Car Llazarit.

Ai porositi qytetarët serbë të Kosovës që mos të harrojnë “betejat dhe trimat që kanë luftuar për Kosovën me shekuj”.

Gjuriq ka treguar edhe arsyet e këtij vendimi që përmendoren e Car Llazarit ta sjellin në Kosovë.

Madje tha se ky vend tani e tutje të bëhet vend i betimit për të gjithë serbët.

Ne kemi vendosur që Llazarin ta sjellim sot këtu në bronz dhe sikur të kishim mundur do ta ndrisim deri në qiell që do të shihet nga secila pikà « e rruzullit tokësor. Edhe kështu është i madh sa që askush nga këtu s’do mund ta lëvizim. Llazari do të qëndrojë këtu sikurse që do të qëndrojë këtu edhe populli serb. Sot para Zoti dhe Car Llazarit le të jetë ky betimi ynë”, tha Gjuriq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën tha se Car Llazari është udhërrëfyes për serbët të cilët nuk guxojnë t’i harrojnë betejat ndër shekuj.

“Car Llazari shikon nga Gazimestani si udhërrëfyes për të mos harruar që të orientohemi moralisht se shumë fitore si popull i kemi harruar, sikurse Beteja e Kosovës dhe këtë nuk guxojnë ta harrojmë. Fitorja e parë që çdo serb duhet ta ketë në mendje është fitorja ndaj identitetit dhe dilemave personale”, tha Marko Gjuriq.

Ai nga Mitrovica ka porositur serbët që ta ruajnë emr in e tyre dhe gjithnjë t’i kujtojnë ata që kanë “rënë për Kosovën”.

“Andaj bëhuni të fortë siç kanë qenë trimat e Kosovës, ruajeni emrin serb siqç e kanë ruajtur gjenerata të tëra duke kënduar për Kosovën ashtu siç kanë qenë serbët në beteja të ndryshme historike…Sot më 28 qershor 2016 iu falemi trimave të Kosovës, të bindur që këtu të festojmë edhe shumë Vidovdan-a, secilën herë më të kthelltë më të fortë dhe më unik”, tha Gjuriq.

Madje Gjuriq tha se asnjë serb nuk mund ta duajë Serbinë pa e dashur Kosovën sepse ky vend sipas tij është “zemra e Serbisë.

Në fund, ai ka falënderuar kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të cilin tha se është më meritori për këtë përmendore.

Ndërkohë, kur është përmendur emri i kryeministrit serb, disa nga pjesëmarrësit kanë brohoritur “Vuçiq gay”.

Fjalë të mëdha dhe falënderime për Qeverinë serbe kanë thënë edhe kryetari i komunës së veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, si dhe kryetari i strukturave paralele të veriut, Aleksandër Spiriq.

Përmendorja e Car Llazarit është zbuluar nga Marko Gjuriq dhe anëtarët e kabinetit qeveritar të Isa Mustafës, Branimir Stojanoviq, Lubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq.

Qytetarë dhe përfaqësues të kishës ortodokse janë lutur para përmendores së Llazarit.

Ajo është e gjatë 7.5 metra dhe peshon 7.5 tonë./KosovaPress/