Aktuale

Gjuriq, udhëheqës i delegacionit serb për marrëveshjen hekurudhore me Kosovën

Në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Berlin të Gjermanisë, ambasadori amerikan, Richard Grenell, do të zhvillojë bisedime me palën kosovare dhe serbe për rikthimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Beograd.

Grenell, i cili është edhe i dërguari Special i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë vizitës së tij në Prishtinë e Beograd, kishte paralajmëruar për marrëveshjen për rikthimin e linjës hekurudhore pas 21-vjetësh.

Siç shkruan “Tanjug”, bisedimet që do të zhvillohen sot në Berlin për linjën hekurudhore janë rezultat i një marrëveshjeje midis Grenell dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Sipas burimeve të “Tanjug”, në Berlin delegacioni serb do të udhëhiqet nga drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Po ashtu sipas këtij mediumi, në takimin e sotëm do të diskutohen vetëm temat tregtare, pasi që siç shkruan “Tanjug”, kushti kryesor i Beogradit zyrtar për vazhdimin e dialogut me Kosovën, është heqja e taksës prej 100 për qind të vendosur nga qeveria kosovare ndaj mallrave me origjinë serbe dhe boshnjake.

Theksojmë se Gjuriq, që nga vitit 2012, është i përfshirë në të gjitha bisedimet dhe marrëveshjet që janë arritur në dialogun Kosovë-Serbi, transmeton më tutje lajmi.net

Në delegacionin serb sipas “Tanjug”, do të jenë përfaqësues të ministrisë së linjës si dhe ekspertë në fushën e transportit hekurudhor.

Rikujtojmë se, lidhja e infrastrukturës Beograd-Prishtinë ishte edhe njëra nga temat kryesore në bisedimin midis presidentit serb Vuçiq dhe ambasadorit Grenell të premten në Beograd, ku diplomatët amerikanë njoftuan se detajet e marrëveshjes për rinovimin e shërbimeve hekurudhore do të diskutoheshin në një takim në Berlin të hënën.

Grenell vuri në dukje se SHBA dëshiron që të dyja palët të përqendrohen në ekonomi, punë dhe prosperitet, si një rrugë për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërkaq, në një intervistë për “AP”, Grenell, kishte deklaruar se marrëveshja për rikthimin e linjës hekurudhore midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte e rëndësishme për të dyja palët dhe se sipas tij, pas marrëveshjes për linjën ajrore Kosovë-Serbi, prioritet i presidentit Trump, ka qenë edhe rikthimi i linjës hekurudhore. /Lajmi.net/

the authorGazetaKNN