Aktuale

Gjykata Kushtetuese rrëzon ndërtuesit, mbetet në fuqi taksa 8% për ndërtimet në Tiranë

Merr fund përplasja 1 vjecare e ndërtuesve me Bashkinë e Tiranës, të cilët kundërshtonin me forcë taksën 8% të ndërtimit të vendosur nga kryebashkiaku Veliaj një vit më parë, si një masë shtrënguese për të ulur ndërtimet në Tiranë, por edhe për të shmangur ndërtuesit abuzivë.

Ndërtuesit e kishin ankimuar ligjin “Për sistemin e taksave vendore” në Gjykatën Kushtetuese, me shpresë që kjo e fundit të rrëzonte edhe taksën 8%.

Por, burime nga Gjykata Kushtetuese shprehen se në mbledhjen e sotme kërkesa e ndërtuesve u rrëzua me një votim të ngushtë 4 me 3 në favor të Bashkisë së Tiranës, duke lënë një herë e mirë në fuqi taksën 8% për ndërtuesit.

Këshilli Bashkiak i Tiranës në bazë të këtij ligji rriti vjet taksën e ndërtimit dhe atë të zënies së hapësirave publike, edhe si një mënyrë për të siguruar më shumë të ardhura për qytetin nga fitimet e ndërtuesve dhe bizneseve që zaptonin pa kufi trotuaret dhe hapësirat publike.

Taksë kjo që u kundërshtua nga një pjesë e ndërtuesve të përfaqësuar nga Nikollaq Neranxi, si dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak, të cilët kërkuan anullimin e taksës për ndërtimet dhe zënien e hapësires publike.