Aktuale

Gjykata mori vendim për personin që dyshohet se merrej me shit-blerje të drogës

Gjykata Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.B. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit I.B.i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri I.B. ka kryer veprën penale që i vihet në barrë, pasi gjatë bastisjes së shtëpisë së tij është gjetur një qese e vogël me narkotikë,të dyshuar të llojit marihuanë, ndërsa në një qoshe të oborrit të shtëpisë i janë gjetur tri çanta të mëdha të zeza me të cilat dyshohet se është kryer transporti i narkotikut.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase nëse i pandehuri gjendet në liri mund të përsërisë veprën penale, do të mund të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në dëshmitarë të rastit.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./FaktePlus