Aktuale

Gjykata vendos për burrin që tentoi ta vras gruan e tij

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.M.

Sipas prokurorisë dyshohet se i pandehuri G.M kishte kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri G.M. më datë 16.06.2019 në shtëpinë e tij, me qëllim që ta privoj nga jeta të dëmtuarën A.A. me të cilën bashkëjeton, kishte shtënë në drejtim të saj me armë zjarri. I pandehuri pas gjysmë ore e kishte dërguar të dëmtuarën në Spitalin Amerikan në Prishtinë duke mos e njoftuar policinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë kushtet ligjorepër caktimin e masës së paraburgimit, ngase nëse i pandehuri gjendet në liri do të mund të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë të rastit.

Tutje në njoftim të gjykatës thuhet se “Duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, peshën e veprës penale, karakteristikat personale të pandehurit dhe sjelljet e tij të mëparshme, nëse i pandehuri qëndron në liri do të mund të përsërisë veprën penale”.

Kundër këtij vendimi palaka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.