Aktuale

Gjyqtari i kushtetueses: Unë përfaqësoj kishën serbe

Të premten e kaluar 71 deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë hezituar t’ia japin votën Radomir Labanit për t’u bërë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
I njëjti njeri, para disa vjetësh kishte deklaruar se në këtë Gjykatë përfaqëson Kishën Ortodokse Serbe.

“Unë këtu përfaqësoj Kishën Ortodokse Serbe. Po e bëj punën time me nder, sikur e kam bërë edhe më herët, dhe nuk e di pse ju intereson kjo temë”, kishte thënë Labani.

Asokohe kur ishte votuar për gjyqtar të Kushtetueses i kishte marrë vetëm 14 vota nga deputetët.

Radomir Laban është i dënuar në Serbi me shtatë vjet burg për korrupsion, por verdikti përfundimtar ia kishte reduktuar atë në gjashtë vjet.

Gjykata e Kralevës kishte lëshuar urdhër për arrestimin e tij.

“Si një gjykatë kompetente për dënime me burg, ne jemi të informuar se i dënuari Radomir Labani nga Kraleva nuk ka filluar ta kryente vuajtjen e dënimit. Kjo gjykatë më gjashtë shkurt të vitit 2013 ka lëshuar një urdhërarrest për Labanin, duke pasur në konsideratë se ky person nuk mund të kontaktohet dhe, sipas të dhënave të Njësisë policore të Kralevës, ai ndodhet në territorin e Kosovës dhe të Metohisë”, ishte përgjigjur gjykata.

Sipas medieve në Serbi, anëtarët e së ashtuquajturës “Mafia e doganave” ishin arrestuar në vitin 2006, kur ishin zbuluar dy rrugë të tyre të trafikimit. Njëra rrugë, ishte ajo e kamionëve që vinin prej kufirit përplot me mallra.

Ata kishin përdorur arsyetimin e kontrollit “të jashtëzakonshëm” dhe meqë ligji lejonte një gjë të tillë, pastaj mafiozët e doganave i fusnin mallrat në dokumentacion si “mallra në transit” dhe i dërgonin nëpër depo. Në këto depo i hiqnin të gjitha vulat dhe i shpërndanin mallrat nëpër Serbi.

Një mundësi tjetër ishte shkruar në dokumente se “mallrat do të dilnin prej Serbisë”, por në fakt ato nuk dilnin kurrë.

Pavarësisht të gjitha këtyre akuzave ndaj Radomir Labanit, filtrat e shtetit të Kosovës asokohe nuk kishin gjetur shibël në biografinë e tij.

Edhe pse Laban tashmë ishte në kërkim, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e kishte në plan ta suspendonte apo largonte nga puna atë. Është arsyetuar se kur ai ishte punësuar në Kushtetuese kishte ofruar një vërtetim të Gjykatës Komunale të Prishtinës se nuk ishte nën hetime apo i dënuar për ndonjë vepër penale.

Në këtë vërtetim që mbante datën 23 tetor 2012, shkruante se kundër Radomir Lamanit nuk është “ushtruar aktakuzë e plotfuqishme, as nuk është gjykuar me Aktgjykim për vepër penale për të cilën është paraparë dënimi me burg në kohëzgjatje prej tri vjetësh, ose dënim me gjobë”./Insajderi.com

the authorE B