Ekonomi

“Green Festival” synon të rrisë tregjet e biznesit në Kosovë

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka thënë se Festivali i Gjelbër luan rol në sensibilizimin e njerëzve për rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ambienti në jetën tonë.

Ajo këto komente i bëri me rastin e hapjes së edicionit të dytë të Festivalit të Gjelbër, i cili synon të promovojë rritjen e tregjeve të biznesit të gjelbër të Kosovës, rritjen e vendeve të punës.

Reshitaj me këtë rast tha se Qeveria e Kosovës dhe ministria që ajo drejton do të mbështesin iniciativa të tilla që kanë për qëllim zvogëlimin e shkarkimeve ndotëse në mjedis, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e shëndetit publik.

“Të nderuar pjesëmarrës ju informoj edhe njëherë që shteti ynë mos sfidave të fuqizimit dhe zhvillimit po përballet edhe me ndotje të mjedisit , sfidë këto që tejkalon vetëm me bashkëpunim të mirëfilltë të të gjithë akterëve institucional dhe të shoqërisë civile, edukimit formal dhe joformal duke promovuar kështu një jetë të shëndetshme për ne dhe gjeneratat që vijnë. Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me qëllim të fuqizimit të zbatimit të ekonomisë së gjelbër ka për synim të promovojë dhe mbështes edhe projekte dhe iniciativa të tjera që kanë në fokus përdorimin e burimeve të ripërtërira të energjisë, zbatimin e energjisë, teknologjive të pastra për mjedisin, zbatimin e procesit të riciklimit dhe ripërdorimit të mbeturinave, zhvillimin e ekoturizmit. Ne synojmë të kontribuojmë në zvogëlimin e shkarkimeve ndotëse në mjedis, shfrytëzimin e resurseve natyrore, kri jimin e vendeve të gjelbra të punës, përmirësimin e shëndetit publik dhe zvogëlimin e sëmundjeve mjedisore” ,tha Reshitaj.

Ndërsa, koordinatori i Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Petrit Selimi ka thënë se ky festival është platformë e mirë që tregon se bizneset në Kosovë po lëvizin drejt një ekonomie të re.

“Kjo nismë e festivalit është më të vërtetë platforma më e mirë ku bizneset kosovare mund të tregojnë që po lëvizim drejt një ekonomie të re, e cila është në hapë me kohën, e cila është përgjegjëse edhe ndaj kërkesave të mjedisit dhe të një zhvillimi të qëndrueshëm”, tha ai.

Selimi ka folur edhe për marrëveshjen e nënshkruar me MSS-në në vlerë 49 milionë dollarë, e cila përfshin edhe projekte që do të ndikojnë në eficiencën dhe ripërtërirjen e energjisë.

Lumë Zhubi nga Gjakova, pjesëmarrës në këtë festival, ka prezantuar makinën elektrike, e cila ka për qëllim ruajtjen e ambientit nga ndotja.

Zhubi për Kosova Press ka thënë se për ndërtimin e kësaj makine është dashur një vit punë, e cila është realizuar nga një ekip prej gjashtë të rinjve.

“Qëllimi i makinës është që është eko nuk ka hiq ndotje të ambientit se nuk liron asnjë gazë edhe nuk është hibrid që është edhe elektrik edhe motor me naftë ose me benzinë, por është komplet elektrik, pra i ka 40 bateria elitum fosfate, të cilat mbushen rrymë, e shtinë në shtëpi për një orë e gjysmë, e ka mbushjen e shpejtë, ndërsa për mbushjen e ngadalshme e ka tri deri katër orë” ,tha Zhubi.

Përmes një video-mesazhi, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka përgëzuar organizatorët e këtij festivali, duke dhënë mbështetjen e Ambasadës amerikane në projekte të tilla, të cilat do të krijojnë vende të reja pune dhe ruajtjen e ambientit.

Ndryshe, në Festivalin e Gjelbër do të marrin pjesë 23 kompani vendore, të cilat për tri ditë sa do të zgjasë festivali, do t’i prezantojnë produktet e tyre në pavionin e gjelbër. /KP