Sport

Guardiola: Le të jetë i qetë Wengeri, nuk do ta thyejmë rekordin

Guardiola e sheh si diçka të paarritshme rekordin e Arsenalit të Arsene Wenger.

Në sezonin 2003/04, Arsenali fitoi titullin duke mos pësuar asnjë humbje në Premierligë, diçka që mediat raportojnë se është rrugës së mirë për ta bërë edhe Man City, duke parë formën fantastike.

Por, këtë e ka hedhur poshtë trajneri, Pep Guardiola, i cili mendon se është rekord i paarritshëm dhe se Wengeri duhet të jetë i qetë sepse nuk do t’i thyhet rekordi.

“Dua të them se ai rekord i përket Wengerit. Të mos e shqetësojmë atë dhe të jetë i qetë sepse kjo nuk do të ndodh sërish. Nuk do ta thyejmë atë rekord”, tha Guardiola.

“Është arritje e jashtëzakonshme, sepse të përfundosh sezonin pa asnjë humbje në Angli nuk është aspak e lehtë”.

“Le të jetë i qetë ai sepse nuk duam të thyejmë atë rekord. Ne vetëm duam që të luajmë mirë dhe të fitojmë të dielën”, shtoi Guardiola.

Manchester City dhe Arsenali do të përballen të dielën në “Etihad” nga ora 15:15. /Gazeta Express/