Tech

Hakerët marrin të dhënat e PlayStation Network

Grupi i hakerëve OurMine ka hyrë në profilin e PlayStation në Twitter duke shkruar se posedon të dhënat e PlayStation Network, transmeton KosovaPress.

Për dallim nga grupet tjera të hakerëve, të cilat shantazhonin shfrytëzuesit, OurMine u ka bërë thirrje punonjësve në PlayStation që t’iu lajmërohen.

OurMine është grup i hakerëve nga Arabia Saudite, e cila përbëhet nga “hakerë të bardhë”- ekspertë për siguri, të cilët në të kaluarën kanë hyrë në llogaritë e personaliteteve të njohura në Twitter, për të treguar dobësinë në sistem.

Në mesin e “viktimave” të OurMine po ashtu gjendet edhe njeriu kryesor i tanishëm i Google, Sundar Pichai.

PlayStation Network, rrjet i cili iu mundëson përdoruesve të PlayStation që të luajnë video-lojëra së bashku, tashmë disa herë ka qenë e hakuar dhe janë rrezikuar të dhënat e përdoruesve.

Sulmi më i njohur ka ndodhur në vitin 2011, kur për shkak të hakerëve rrjeti ishte i pa qasshëm madje 23 ditë. Në atë kohë në publik kishin rrjedhë profilet e madje 77 milionë përdoruesve.

Sony ndërkohë ka punuar në sigurinë e PSN, por duket se kjo ka qenë e pamjaftueshme.

Ndryshe, nga Sony nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se sulmi ka ndodhur.