Ekonomi

Hamza konfirmon: Sot kemi ekzekutuar pagat për veteranët

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se pas dekretimit të Ligjit të Rishikimit Buxhetit nga presidenti i Kosovës, Ministria e Financave sot ka bërë ekzekutimin e pagave për veteranët e lutës.

Ministri Hamza në një intervistë për KosovaPress ka thënë se e kanë pasur të vështirë të sigurojnë 26 milionë euro, një shumë të konsiderueshme të mjeteve, por sipas tij, pas një pune të madhe të bërë për këtë kategori të çmuar të shoqërisë sonë dhe duke filluar nga gjetja e fondeve e deri tek ndryshimet ligjore për të mundësuar që veteranët të marrin pagesat e merituara me ligje.

“Është dashur të sigurohen këto mjete dhe përveç që ka qenë problem lartësia e mjeteve, është dashur që të bëhet edhe plotësim ndryshimi i Ligjit dhe të hiqet nga Ligji për buxhetin një nen i cili ka qenë kufizues sa i përket pagesave për këtë kategori, sepse ka qenë nen specifik brenda ligjit që e ka kufizuar lartësinë e pagesave deri në 38 milionë euro. Është kryer Rishikimi i Buxhetit, është diskutuar në kuvend dhe në momentin që ka hyrë në fuqi, në atë moment ne e kemi pasur të përgatitur dhe sot e kemi bërë ekzekutimin e këtyre pagesave për këtë kategori dhe veteranët i kanë pranuar të gjitha pagesat e mbetura, duke e përfshirë muajin gusht, shtator, tetor dhe tash e tutje do të procedohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, potencoi ministri Hamza.

Ndërsa, për vitin e ardhshme, ministri Hamza ka thënë se për këtë kategori do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe për të gjitha kategoritë tjera. Mirëpo, ai nuk ka treguar për fondin e vitit 2018 për këtë kategori, sepse ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore për të përmbyllur të gjitha listat e veteranëve.

“Është e ndarë nëpër disa vija buxhetore, është legjislacioni në fuqi, ku ne kemi proceduar buxhetin 2018 në përputhje me legjislacionin. Ende nuk e kemi të mbyllur (fondin) dhe unë pres që Ministritë e Linjës përgjegjëse për këtë punë t’i përfundojnë punët e tyre. Andaj, ti kryejnë punët që ne të kemi mundësi të dimi koston e saktë të këtyre proceseve. Derisa çështje të caktuara janë në proces, nuk mundemi me thënë se kjo(kosto) është përfundimtarja. Në këtë rast Ministria e Punëve për Mirëqenie Sociale, Qeveria duhet t’i krijojnë kushtet ligjore dhe me u mbyll çështjet e caktuara për me ditur koston e fundit e cila do të jetë”, theksoi ai.

Me tej ministri Hamza ka shtuar se kanë ndarë fondet për veteranët për 2018 dhe janë pjesë buxhetit të Kosovës dhe, theksoi , se derisa Ligji i ka garantuar dikujt një të drejtë për me realizuar një pagesë, MF do të siguroi mjete të mjaftueshme.

Ndryshe veteranët e luftës nuk i kanë marrë pagat për tre muajt e kaluar duke thënë se nuk ka buxhet.

Veteranët e luftës para dy ditësh kanë kërcënuar se nëse në këtë javë nuk i marrin pagat të martën do të ketë protestë para Qeverisë. /KP