Aktuale

Hamza: Shpenzimet e rezervave të shtetit, nuk rrezikojnë stabilitetin në vend

Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kanë mbajtur sot një mbledhje të përbashkët, në të cilën ka raportuar ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza.

Raporti i ministrit Hamza, kishte të bënte me shpenzimet e paparashikuara për vitin 2018, përkatësisht shpenzimin e rezervave shtetërore gjatë muajve të këtij viti.

Lidhur me këtë, ministri Hamza, në fillim të fjalës së tij bëri të ditur se mënyra e shpenzimeve të rezervave buxhetore të shtetit, është kritikuar nga vetë ai, dhe vlerësoi se, shpenzimet e financuara nga rezerva shtetërore, është dashur të përfshihen në shpenzimet e rregullta, e të parashihen në Ligjin e buxhetit.

Duke iu referuar të dhënave statistikore të shpenzimeve nga rezervat shtetërore për vitet paraprake, ministri Hamza bëri të ditur se ato nuk dallojnë shumë nga shpenzimet e këtij viti, ndërkaq, pohoi se shpenzimet e gjertanishme nuk rrezikojnë stabilitetin makro financiar në vend.

Shpenzimet më të mëdha sqaroi më pas Hamza, janë evidentuar gjatë shënimit të datave të rëndësishme shtetërore, si dhe shpenzime të tjera, siç janë ndihmat për komunitete dhe shpenzime të tjera që nuk kanë qenë të përfshira në Ligjin e buxhetit.

Ndër shpenzimet më të mëdha, e që nuk kanë qenë të parapara, sqaroi ministri Hamza, kanë qenë investimet në KOST. Lidhur me këtë, ai po ashtu sqaroi se, problemet që e përcjellin KOST-in janë shumë të mëdha dhe do të shkaktojnë shpenzime edhe në të ardhmen.

Sipas tij, zgjidhja afatgjate e problemeve në KOST është zbatimi i marrëveshjes për energjinë nga ana e Serbisë, e arritur gjatë procesit të dialogut me Kosovën në Bruksel.

Në vijim të takimit, ministri i financave Hamza u është përgjigjur edhe pyetjeve të anëtarëve të komisioneve, ndërkaq, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdigjiku, si dhe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selmanaj, kërkuan nga ministri dhe kabineti qeveritar përkushtim edhe më të madh për tejkalimin e problemeve në KOST.

Pas kësaj, Komisioni për Buxhet dhe Financa, është mbledhur edhe një herë në një mbledhje të veçantë, në të cilën ka amendamentuar Projektligjin nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditimin. Po ashtu, në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu një mori projektligjesh (5 sish)