Aktuale

Haradinaj: Avionët e jetës ndalën trenat e vdekjes

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se përvjetori i sivjetmë i çlirimit të Kosovës i ngjason verës së vitit 1999 ku të gjithë janë bashkë e të lirë, ndërsa ka falënderuar miqtë amerikanë e evropian që ndihmuan për çlirimin e Kosovës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve me rastin e ceremonisë të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, kryeministri Haradinaj tha se ishin avionët e jetës së Amerikës që ndalën trenat e vdekjes dhe gjenocidin serb.

Haradinaj po ashtu në këtë ditë i bëri thirrje institucioneve të Serbisë që ta njohin shtetin dhe realitetin e Kosovës.

“Të nderuar mysafirë, është nderë për institucionet e Kosovës që jemi bashkuar kështu. Sot i ngjason verës së vitit 1999 kur jemi bashkuar për lirinë. Në këtë shesh ka qenë kënaqësi me ecë lirshëm pas të gjitha vuajtjeve. Më lejoni të përshëndes familjet e të gjithë të rënëve dhe familjen Jashari. Për shumë kohë ne kemi kërkuar lirinë, kështu brez pas brezi jemi flijuar për vendin. Ne kërkonim lirinë, ishte UÇK-ja që qëndronte me popullin dhe më pas ishin edhe aleatët që ndalën spastrimin etnik. Zotëri president Clinton, ju me avionët e jetës i ndalët trenat e vdekjes. Sot Kosova është atdheu i të gjithë neve, jetojmë të lirë falë juve. Paqen e bëjnë të guximshmit dhe nga këtu bëjmë thirrje popullit të Serbisë dhe Viçiqit që ta njeh Kosovën dhe aktualitetin”, u shpreh me tjerash Haradinaj./FaktePlus