Aktuale

Haradinaj: Ende s’kemi marrëveshje me Listën Serbe për Demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferncë për media që e ka mbajtur sonte në orët e mbrëmjes, ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes që koalicioni e ka bërë me LDK-në në lidhje me votimin e Demarkacionit.

Shefi i qeverisë kosovare ka bërë të ditur gjithashtu se raporti i Komisionit Shtetëror do të jetë vetëm orientues, kërkesë kjo e parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

E për të cilën, një ditë më herët Haradinaj ishte i vendosur të mos e zbatonte.

“Ligji për demarkacionin përmban pos marrëveshjes, edhe raportin e komisionit shtetëror si orientim dhe gjithashtu deklaratën e presidentëve. Unë kam bërë një lëivjze politike në këtë rast, në mënyrë që të dakordohemi me LDK-në, dhe i kemi hapur mundësi deputetëve të lëvizin”, ka thënë Haradinaj, raporton lajmi.net

Kryeministri i vendit ka thënë gjithashtu se kjo shtesë e kërkuar nga LDK-ja ka qenë e panevojshme.

“Për bindjen time është e panevojshme kjo shtesë sa i përket pikës 1.2. Kemi një ndryshim substancial, kemi marrëveshje me LDK-në dhe në bazë të kësaj janë krijuar parametrat realë që të mërkurën të ndodhë seanca dhe të votohet demarkacioni”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka konsensus me Listësn Serbe që edhe ata ta votojnë marrëveshjen për shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi.

“Ende s’kemi konsensus me Listën Serbe. Ta shohim në seancë, është vështirë me fol. Sot për sot po ju informoj për këtë marrëveshje, që i ka plotësuar kërkesat e LDK-së”, ka përfunduar Ramush Haradinaj në konferencë për media.

Ndryshe, seanca për ratifikimin e Demarkacionit është caktuar të mbahet ditën e mërkurë me fillim nga ora 10:00.

Pikërisht në këtë ditë Kosovën do ta vizitojnë edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja e Demarakcionit duhet theksuar se ka qenë kushti kryesor nga BE-ja për liberalizimin e vizave. /Lajmi.net/