Aktuale

Haradinaj: Heronjtë janë meritorët e parë të lirisë dhe të shtetit që po ndërtojmë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Ramush Haradinaj, me bashkëpunëtorë, sot, në ditëlindjen e 54-të të Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti, ka bërë homazhe të shtatorja e heroit, në Prishtinë.

Me këtë rast, kryetari i AAK-së ka thënë se Zahir Pajaziti dhe heronjtë e kombit janë meritorët e parë të lirisë dhe të shtetit që po ndërtojmë.

“Ata qëndrojnë krenarë dhe fuqishëm në themelet e të sotmes dhe të ardhmes sonë. Andaj, është obligim i secilit prej nesh që ta kujtojmë veprën dhe sakrificën e tyre, në secilën ditë të punës dhe jetës sonë”.

“Lufta për liri dhe ligji nuk janë në konflikt, përkundrazi edhe qëllimi ynë atëherë ka qenë një shtet ligjor dhe një shtet i lirë”,

“Duke kujtuar veprën madhore të të rënëve, jemi më të fuqishëm në rrugën tonë drejt të ardhmes. Lavdia i takon Zahirit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, kurse puna për ndërtimin, ruajtjen dhe zhvillimin e shtetit dhe lirisë sonë, është përgjegjësi e jona, e secilit prej nesh”, ka thënë kryetari Haradinaj.