Aktuale

Haradinaj i jep mbështetje Thaçit

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka komentuar idenë dhe vendimin e presidentit të Kosovës , Hashim Thaçi, për themelimin e Ekipit Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Sipas tij ky është hapi i parë drejt zbardhjes të së vërtetës, që është po ashtu një hap përpara drejt pajtimit që mundëson të ecim përpara, për hir të brezave të tashëm dhe të ardhshëm. Me anë të një deklarate kryeministri e mbështetë pa hezitim themelimin e një institucioni të tillë, i cili do të shquajë sensin e drejtësisë për viktimat dhe njëherësh të vlejë si udhëzues se si të mbrohet shoqëria nga mbjellja e urrejtjes që shpie rëndom në konflikte të hapura dhe fatkeqe për jetët e shumë njerëzve të pafajshëm.

“Pajtimi është vlera më e lartë njerëzore dhe virtyt i të gjithë atyre që plagët nuk i kanë mbyllur përgjithmonë. Sado i vështirë dhe i rëndë, pajtimi është hapi i duhur përpara që i hapë rrugën të tashmes për ta ndryshuar të nesërmen”, thuhet në deklaratën e Haradinajt.

Më këtë rast kryeministri Haradinaj zotohet se do ta ndihmojë Komisionin që do të themelohet nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, me të gjitha kapacitetet qeverisëse./KosovaPress/